Mohimi i drejtësisë – Lajmi.net
Mohimi i drejtësisë
Autori: Blerim Shala Op-EdOpinion 11:49, 23 November 2017
Historia e ri-shpjeguar, e pa ndikuar nga drejtësia e Hagës, e kontekstualizuar në rrethanat aktuale politike rajonale, mbetet tutje faktor shumë i rëndësishëm i politikës aktuale në Beograd dhe në rajon.

Rrallëherë një ngjarje e vetme ngërthen në vete historinë, politikën, drejtësinë, dhe atë, në plotëninë e tyre, siç ishte rasti këtë të mërkurë, kur në Tribunalin e Hagës, Gjenerali Ratko Mlladiq, Komandanti i Ushtrisë serbe gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, u dënua me burgim të përjetshëm për krime lufte.

Dënimi kapital në drejtësi, do të duhej realisht të shoqërohej me kujtesën e përhershme të tragjedive të shkaktuara në luftërat e njëpasnjëshme gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, që nisën në Slloveni dhe morën fund në Kosovë. Natyrisht, ky dënim do të duhej të ishte edhe një moment tepër i rëndësishëm i reflektimit të elitave politike të shteteve të kësaj ane të Evropës, se si duhet bërë ballafaqimin me një të kaluar të afërt, që realisht, jeton ende ndër ne dhe me ne, më së shumti për shkak të mungesës së vullnetit dhe guximit të politikanëve dhe zyrtarëve për tu marrë si duhet me gjithë këtë barrë të rëndë të trashëguar nga vitet e nëntëdhjeta.

Vet akti i përfundimit të gjykimit të Mlladiqit, pra, pastaj, prania në Hagë e familjarëve të viktimave të Srebrencës, krimit më të madh në Evropën e pasluftës, nuk kishte si mos të na kthente të gjithë neve në vitet e luftës, kur Ballkani ishte kryelajmi botëror për vite me radhë, duke shfaqur një ish-shtet që po zhdukej nën gërmadha dhe masakra, dhe duke sipërfaqësuar një Evropë që po bashkohej pas mbarimit të ‘Luftës së Ftohtë’ por që ishte bërë pikë dhe pesë në përpjekjet për ndaljen e një tmerri që transmetohej drejtpërdrejtë në të gjitha televizionet e rëndësishme botërore. Sikur mos të ishte SHBA-ja, nuk do të ndalej lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe nuk do të kishte paqe në Kosovë. Ngjarjet e shumta që janë shënuar në ndërkohë këndejpari, në Evropë dhe në Botë, sikur kanë lënë në harresë këtë fakt. Zatën, Pakti NATO, në pesëdhjetëvjetorin e krijimit të tij, në pranverën e vitit 1999, për herë të parë dhe të fundit u detyrua të luftojë, pikërisht në rastin e Kosovës, për të ndalë një tragjedi të radhës në Ballkan. Vetë ky akt i Paktit NATO ishte asokohe ushtrimi më i mirë i mundshëm i drejtësisë. I paparë deri atëherë, dhe i pabërë që prej atëherë. Edhe në këtë kontekst, s’do mend që Kosova është rast i veçantë. Këtë po e harrojmë edhe vet, sa më shumë që po kalojnë vitet nga ajo pranvera e kthesës së madhe për ne si shqiptarë të Kosovës, por edhe për gjithë rajonin.

Shpallja e verdiktit në Hagë, në rastin e Mlladiqit, u përcoll me reagime të shumta thuaja në të gjitha anët e ish-shtetit të përbashkët. Megjithëse krimi i Srebrenicës ka pasë karakter të qartë të gjenocidit, edhe pse nuk ka asnjë dyshim të vetëm se kush ka qenë përgjegjës për te, dënimi i kryeatorit të tij, nuk bëri bashkë politikanë dhe publicistë të Bosnjës dhe Hercegovinës, Serbisë, Kosovës, Kroacisë. Përkundrazi. Sikur Mlladiq të dënohej dhjetë vjet më parë, me gjasë, do të kishte më shumë maturi dhe kujdes në deklarimet e atyre që tutje mbështesin këtë gjeneral dhe të gjitha krimet që ai dhe bashkëpunëtorët e tij kanë bërë në luftë. Dhjetë vjet më parë, askush në Qeverinë e Serbisë nuk kishte marrë guximin  (siç ndodhi kohë më parë me një Ministër të Qeverisë aktuale të Serbisë), për të rehabilituar publikisht gjeneralët e Armatës së ish-RFJ-së, që janë dënuar për krimet e bëra në luftën e Kosovës.

Te dy këto raste apo këta dy shembuj konfirmojnë që historia e ri-shpjeguar, e pa ndikuar dhe e papastruar nga drejtësia e Hagës, e kontekstualizuar në rrethanat aktuale politike rajonale dhe evropiane  (kur dihet se çka po ndodhë në BE viteve të fundit), është tutje faktor shumë i rëndësishëm i politikës aktuale në Beograd dhe në rajon  (në Republikën Serbe, në Bosnjë dhe Hercegovinë).

Fatkeqësisht, ky është një diskurs politik mbizotërues.

Në vitet e nëntëdhjeta, gjithë Bota u mor me këtë anë të Evropës. Tani, rrethanat kanë ndryshuar me themel kudo. Vetë elitat politike të shteteve të Ballkanit Perëndimor, në radhë të parë, autoritetet më të larta të Serbisë, do të duhej një herë e përgjithmonë ta braktisin këtë qasje politike, e cila është rrezik për stabilitetin e Ballkanit. /Lajmi.net/

Fotolajm

‘’Në makinë, ka njerëz që nuk do të takohen kurrë më!’’
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play World Soccer Champion
  • Play Bow Master Japan
  • Play Bow Master
  • Play Bike Rivals