Mogherini dhe Hahn: Është koha për vetting

Arritja e marrëveshjes politike është përshëndetur dhe nga Komisioni Europian. Me anë të një letre të përbashkët, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini dhe Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Han kanë nënvizuar se liderët politikë iu përgjigjën pritshmërive të qytetarëve duke treguar pjekuri politike.

Lajme

19/05/2017 14:43

Për ta, ky ishte një hap i parë shumë i rëndësishëm, por Mogherini dhe Hahn presin që kjo marrëveshje të implementohet për të përgatitur zgjedhjet në linjë me standardet ndërkombëtare. Për dy përfaqësuesit e Komisionit Europian, veç zgjedhjeve, rëndësi të madhe ka dhe arritja e marrëveshjes për vettingun.

“Duke qenë se votimi në Parlament i komisioneve të vettingut është pjesë e marrëveshjes, ne përsërisim rëndësinë e një implementimi solid dhe të besueshëm të procesit të vettingut, i cili është kyç për progresin në rrugën e anëtarësimit në BE”, lexohet në letër.

Letra e Përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherinit dhe Komisionerit për Zgjerimin, Johannes Hahn, mbyllet me sigurinë se Bashkimi Euroopian do të vijojë të mbështesë Shqipërinë dhe aspiratat legjitime të qyetetarëve për një të ardhme më të mirë.

Të dy përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Europian u angazhuan shumë fort në zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Veçanërisht, Komisioneri Johannes Hahn, i cili ishte në kontakt të vazhdueshëm me të dyja krahët politike shqiptare për t’i bindur ata të ulen e bisedojnë e në fund të gjejnë një zgjidhje./ Top Channel