Mogherini: Çështjet politike do të diskutohen në fund (Video)

Shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri në BE, Federica Mogherini ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë dialogun, si mënyrë të vetme për rrugën e integrimit në BE.

Lajme

26/03/2015 14:13

Ajo gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Isa Mustafa nuk ka dashur të komentoj nëse Serbia do ta ketë kusht njohjen e Kosovës para anëtarësimit të saj në BE, por ka thënë se çështjet politike do të negociohen në fund.

Gjatë vizitës së parë zyrtare në Prishtinë, si përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Mogherini tha se ky vit është vendimtar në përmbushjen e kritereve për vazhdimin e rrugës në integrimin e Kosovës në BE.

Ajo ka thënë se Kosova si shteti me përqindjen më të lartë të popullatës së re në Evropë, e ka të domosdoshme zhvillimin ekonomik dhe lëvizjen e lirë. Mirëpo, sipas saj, duhet që vet autoritetet e Kosovës të jenë të përgjegjshme për plotësimin e kushteve për përgatitjen e raportit, i cili përcakton, nëse Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave.

“Në fakt mendoj që kur të vije te kushti apo kushtet në integrim në BE, çështjet politike do të jenë kryesoret. BE është që të jenë së bashku në të njëjtën familje, shtetet që kanë qenë në konflikt për shumë vjet”.

“Në fakt ne jemi pjesë e marrëveshjes që duhet të implementohet. Ne kemi biseduar për nevojën për implementim e marrëveshjeve të arritura. Disa pjesë të marrëveshjes janë implementuar dhe disa jo. E di që faza e implementimit është më sfiduese. Nëse më pyesni për të ardhmen e dialogut, Unë kam besim për të ardhmen e tij”.

“Programi qeverisës për zhvillimin ekonomik është e rëndësishme për të rinjtë e vendit dhe është një shans i madhe që këtyre të rinjve tu ofrohet një ardhme dhe mundësi punësimi. Ne mund të bashkëpunojmë shumë në këtë drejtim”.

“Ky vit do të jetë i rëndësishëm për Kosovën në BE. Besojmë se, diku rreth verës, jemi të gatshëm të nënshkruajmë MSA dhe nuk është vetëm kjo. Kjo na ndihmon që të punojmë së bashku”.

“Dialogu politik, mendoj se do të jetë një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur”.

“Për liberalizimin e vizave unë do të punoj. Ju nëse e dorëzoni raportin para verës, komisioni do ta vlerësojë. Personalisht mund të them se jemi të gatshëm të përparojmë në këtë çësthje. Duke parë popullatën e re të juaj, unë e di shumë mirë se sa e rëndësishme është kjo për ju. Besoj se jemi në vitin e fundit”.

Mogherini nuk deshi që të spekulojë se çfarë mund të ndodhë nëse Kuvendi i Kosovës nuk miraton me 2/3 e votave për themelimin e Gjykatës Speciale. Ajo tha se zotimi i vitit të kaluar për këtë çështje, duhet të vazhdojë edhe tash.

Ndërkaq, kryeministri Isa Mustafa tha se e ka njoftuar Moghernin për programin qeverisës si dhe për orientimin e autoriteteve të Kosovës për rrugën e saj euro-atlantike.

Mustafa tha se kërkon që BE-ja të jetë më pranishme  në vend. Gjithashtu ai ka kërkuar që punësimi sezonal të mundësohet për kosovarët, pasi që kjo, sipas tij, është e nevojshme deri sa të arrihet një stabilitet i brendshëm ekonomik.

Duke folur për themelimin e Gjykatës Kushtetuese, kryeministri Mustafa shprehu gadishmërinë e Kosovës për një gjë të tillë, pasi që theksoi se Kosova nuk ka pse të frikësohet nga e kaluara e saj.

“Proceset integruese ndihmojnë që të kapërcehen sfidat e tanishme. Ne dëshirojmë që Kosova të jetë sa më shumë në BE dhe që BE-ja të jetë sa më shumë në Kosovë, jo vetëm në pikëpamje politike por dhe në pikëpamje ekonomike”.

“Kosova është gatshme të ballafaqohet me themelimin e dhomave të veçanta, sepse nuk është e frikësuar nga e kaluara. Kjo gjykatë nuk do të gjykojë luftën tonë të drejtë”.

“Kemi shfaqur brengosjen tonë për migrimin e popullsisë dhe, po ashtu, ne pranojmë të gjithë ata që kthehen. Ne kemi nevojë për punësim sezonal, derisa të arrijmë stabilitet të brendshëm”.

“Mogherinin e njoftova për reformat për shtetin e së drejtës, për reformat ekonomike. Presim që sa më shpejt të nënshkruajmë MSA-në dhe presim që ti plotësojmë kushtet teknike për liberalizimin e vizave dhe kemi kërkuar që ky proces të përshpejtohet në BE”, tha Mustafa. (lajmi.net)

YouTube player