Mogherini: Bashkëpunimi do të ndërtojë sigurinë dhe paqen në Evropë

Mogherini shtoi se Evropa duhet të jetë e bashkuar në luftën kundër terrorizmit dhe krizën e emigrantëve, dhe se duhet të bëjë gjithçka në mënyrë që të ndalohet lufta civile në Siri, kur do të zgjidhej pjesa e madhe e problemeve të sotme

Bota

03/12/2015 13:10

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, në fjalimin e saj në seancën e parë plenare në samitin e 22-të të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) theksoi se është bashkëpunimi ai që do të ndërtojë sigurinë dhe paqen në Evropë.

Mogherini shtoi se Evropa duhet të jetë e bashkuar në luftën kundër terrorizmit dhe krizën e emigrantëve, dhe se duhet të bëjë gjithçka në mënyrë që të ndalohet lufta civile në Siri, kur do të zgjidhej pjesa e madhe e problemeve të sotme.

“Terrorizmi është një kërcënim i drejtpërdrejtë për të gjitha vendet. Parisi, Ankaraja, Stambolli apo aeroplani fluturues nga Shën Petersburgu, i cili u rrëzua në Egjipt, të gjitha këto janë përkujtues tragjik të terrorizmit. Në luftën kundër DAESH-it ne duhet para së gjithash të ndalojmë luftën civile në Siri. Në Vjenë kemi gjetur rrugën e drejtë për progres në këtë drejtim, por duhet arritur që këtë kornizë ta shndërrojmë në vepër. Bota nuk do të gjejë justifikime, nëse ne jemi të ndarë për shkak të interesave afatshkurtra. Kemi një përgjegjësi ndaj qytetarëve tanë për t’i dhënë fund luftës në Siri. Gjatë diskutimeve tona në Beograd, do të kemi mundësi për të vazhduar bashkëpunimin tonë”, tha Mogherini.

Ajo vuri në dukje se problemet në Siri shkaktuan probleme në Evropë dhe theksoi se “askush nuk mund t’i përgjigjet individualisht kësaj sfide”, raporton AA.

“Vetëm me bashkëpunim mund të luftojmë me fluksin historik të një numri aq të madh njerëzish. Marrëveshja për armët bërthamore me Iranin na jep të drejtën për të qenë optimistë kur është fjala për veprimin tonë të përbashkët, pavarësisht të gjitha dallimeve”, tha Mogherini.

Përfaqësuesi e Lartë i BE-së duke iu referuar krizës ukrainase, vuri në dukje se atje është në fuqi armëpushimi i cili respektohet në përgjithësi, por që nuk është mirë që ende nuk janë tërhequr forcat ndërkombëtare dhe që në pjesë të caktuara të Ukrainës njerëzit nuk mund të ushtrojnë të drejtat e tyre themelore.