Modernizimi i hekurudhave rrit shpejtësinë e trenave në Kosovë

Në Kosovë, pas dyzet vjetësh, pritet rehabilitimi dhe modernizimi linjëshekurudhore që përshkon Kosovën nga kufiri jugor me Maqedoninë (Hani i Elezit), e deri te kufiri verior me Serbinë (Leshak). Gjatësia e kësaj hekurudhe arrin në 148 kilometra.

Lajme

12/12/2015 23:00

Ky projekt do të realizohet pasi Qeveria e Republikës së Kosovës ditë më parë nënshkroi një kredi në vlerë prej 42 milionë eurosh me Bankën Evropiane për Investime.

Kjo është vetëm një pjesë e kredisë, pasi ky projekt kap vlerën e rreth 208 milionë eurove, e që konsiderohet projekti më i madh në linjën hekurudhore.

Agron Thaçi, kryeshef ekzekutiv në kompaninë “Infrakos”, kompani kjo që merret me infrastrukturën hekurudhore, për Radion Evropa e Lirë, tregon se linja aktuale nuk është e besueshme dhe investimet janë të domosdoshme.

Shpejtësia e trenave, për shkak të kushteve teknike në linjat aktuale, mund të zhvillohet në 50 kilometra në orë, kurse me renovimin e hekurudhave, trenat do të qarkullojnë me shpejtësi 120 kilometra në orë.

“Përmirësimi i kësaj linje nënkupton komplet ndërrimin e të gjithë komponentëve, që e përbëjnë hekurudhën, ndërhyrja në tunele, ura dhe në të gjitha komponentët e sigurisë, në mënyrë që ne të kemi një transport të besueshëm dhe të sigurt hekurudhor”, bën të ditur Thaçi.

Edhe ekspertë të kësaj fushe konsiderojnë se investimi në linjat e hekurudhave në Kosovë, është nevojë.

Mevlan Bixhaku, profesor në Departamentin e Komunikacionit në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, thotë se marrë parasysh ngarkesën e komunikacionit të automjeteve për udhëtarë dhe biznese, investimi në këto linja dhe shfrytëzimi i trenave, është i domosdoshëm.

“Transporti i mallrave, që një pjesë deri më tash ka lëvizur përmes rrugëve të Kosovës, me këto riparime, transporti i rëndë mund të realizohet përmes hekurudhave”, thotë Bixhaku.

Ndërkaq, Agron Thaçi, tregon se me modernizimin e linjës së hekurudhës, do të mundësohet edhe lejimi i operatorëve të trenave ndërkombëtarë, që janë të interesuar të bëjnë biznes në Kosovë.

“Ne po investojmë pikërisht për këtë qëllim – që t’u mundësojmë operatorëve tjerë që të vijnë dhe më këtë do të përfitojë vendi, qytetarët, sepse do të rritet konkurrueshmëria dhe nuk do të monopolizohet transporti i udhëtarëve. Deri më tani nuk ka ndonjë operator të huaj në Kosovë, por interesimi për një biznes të tillë nuk mungon”, thekson Thaçi.

Kurse, profesor Bixhaku, për Radion Evropa e Lirë, konsideron se me investimet dhe rritjen e shpejtësisë së qarkullimit të trenave, me lehtë do të realizohen edhe inkuadrimet në rrjetin rajonal hekurudhor. Dhe, si rezultat, do të rritet rëndësia e Kosovës si urë lidhëse në transportin hekurudhor të mallrave në rajon.

“Këto investime do të mjaftojnë vetëm për një segment të hekurudhave që të rritet shpejtësia e sigurisë dhe shpejtësia mesatare e lëvizjes. Njëkohësisht, edhe elektrifikimi i tyre është i një rëndësie të veçantë, edhe nga aspekti i mbrojtjes së ambientit, por edhe nga aspekti i lëvizjes së shpejtësisë së transportit në këtë rast”, shton Bixhaku.

Ndryshe, projekti për modernizimin e hekurudhës është përfshirë në pakon për investime të aprovuara në samitin e Ballkanit Perëndimor në gusht të vitit 2015 në Vjenë, në kuadër të agjendës më të gjerë të Bashkimit Evropian për promovimin e lidhjes në rajon dhe të lidhjes me BE-në.

Linja hekurudhore që përshkon Kosovën më Maqedoninë dhe Serbinë, është 250km e gjatë, prej së cilës 148 km janë në Kosovë dhe pjesa tjetër në Maqedoni dhe Serbi. Modernizimi pritet të nisë në fund të vitit 2016 dhe të finalizohet në fund të vitit 2020./ Evropa e Lirë