Modeli i Trafikut Urban

Isa Mustafa e ka hapur fushatën me premtime për rregullimin e trafikut urban në Prishtinë. Transportin publik në mandatin e ardhshëm, sipas programit të tij, planifikon ta bëjë modern, me sistem të integruar të biletave dhe kosto të përballueshme biletash.

Lajme

25/11/2013 12:22

Kandidati për Kryetar të Prishtinës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Isa Mustafa, fushatën elektorale 5 ditore e ka nisur me hallin e qytetarëve për rregullimin e transportit publik.

Ai ka hartuar një plan mbi rregullimin e transportit publik që e quan “rrjet të integruar të trafikut urban”, duke shqyrtuar detaje nga biletat e qytetarëve, tabelat në komunikacion, e deri te blerja e autobusëve modernë për Prishtinën dhe rregullimi i linjave rrugore.

Në një konferencë për media, Mustafa ka shpjeguar planin e tij.

“Objektivat themelore të organizimit të transportit publik është përmirësimi i këtij transporti përmes autobusëve modern. Sistem elektronik të biletave për transport publik të integruar. Kosto të përballueshme për të gjithë qytetarët. Orar të harmonizuar të udhëtimeve”.

“Është paraparë që transporti publik i Prishtinës të organizohet në 12 linja urbane, dhe po ashtu të organizohet edhe në 16 linja të cilat janë periferike, si dhe organizim me komunat fqinje, Fushë Kosovën, Obiliqin, Graçanicën, Podujevën dhe Lipjanin”.

Isa Mustafa ka menduar edhe për kategoritë e veçanta të qytetit të Prishtinës. Ai për një pjesë ka zbritur çmimet e biletave përgjysmë dhe një pjesë tjetër bileta falas.

Ka hartuar tri harta që pasqyrojnë rregullimin e linjave urbane dhe vendeve fqinje.

“Kemi thënë se transporti do të jetë falas në Prishtinë për fëmijët nën 6 vjeç, falas për kategoritë me aftësi të kufizuara, për ditën e pavarësisë më 17 shkurt, do të jetë falas edhe për zyrtarët policor dhe ushtarak të cilët janë në detyrë, invalid dhe pensionist. Ndërsa do të ketë zbritje prej 50% për veteranët e luftës, familjarët e dëshmorëve, për fëmijët 6-12 dhe për studentë të arsimit të lartë në këtë komunë”.

“Ky rrjet të cilin po e quajmë rrjet të integruar të trafikut urban ndahet në tre kategori: linjat urbane brenda qytetit të Prishtinës, janë linjat urbane periferike që ndërlidhen me zonat rurale me fshatrat e largëta dhe janë lidhjet ndër urbane”.

“Për këtë janë hartuar tre harta, për këto tre linja, harta e linjës për zonën urbane, harta e linjave për vikende dhe festa dhe harta e linjave në zonat rurale”.

Ai ka folur edhe për aktivizimin në vitin e ardhshëm të garazhës në Qendrën Klinike Universitare e cila do të ketë 900 vendparkime dhe rregullimin e vendparkimit pas Hotel Grand dhe atë përballë Pallatit të Rinisë.