Moda braziliane (Video)

Java e modës në Sao Paulo solli në pasarelë krijime të mbështetura në punën e artistes së famshme braziliane, Tarsila do Amaral, e rroba banjoje shumë të vogla.

Lifestyle

31/08/2017 00:42

Koleksioni i “Osklen” ishte një ndër më të suksesshmit e prezantuar aty. Si frymëzim për një shfaqje ngjyrash të gamave të ngjashme u përdorën veprat moderniste të piktores së njohur, transmeton Top Channel.

Spektakli nisi me krijime të pastra, të bardhë të brishtë dhe krem, për të prezantuar një kanavace sa më të dëlirë. Fill pas tyre zbriten veshje të zeza e gri, që të kujtonin skicat bardhezi me laps, e më pas erdhi një shpërthim i fortë ngjyrash e figurash, nga ato të punëve të Amaral.

“Spektaklet tani janë më pak të rënduara, sepse dizajnerët shqetësohen më shumë që të kuptojnë se çfarë u nevojitet konsumatorëve aktualisht. Po jetojmë në një kohë, kur moda është më pak ëndërrimtare dhe më me këmbë në tokë, nga sa ka qenë deri tani”, tha Ana Cristina, gazetare mode.

Koleksioni do të prezantohet në Nju Jork shkurtin e vitit 2018. “Osklen” u pasua edhe nga dizajnerë të tjerë në pasarelë, kur kokat u kthyen më së shumti për bikinit e sofistikuara të “Vix Paula Hermanny”. /Lajmi.net/