Mobilizim i institucioneve vendore për çështjen e integrimit evropian

Ministria e Integrimit Evropian ka mbledhur më shumë se 60 zyrtarë që përfaqësojnë institucionet vendore që ndërlidhen me punën e plotësimit të kritereve të parapara me Programin Kombëtar të Kosovës për Adoptimin e Aqui-së së BE-së (PKAA), në përputhje me obligimet që dalin nga MSA-ja.

Lajme

03/09/2015 12:33

Qeveria e Kosovës e ka përcaktuar PKAA-në si dokumentin kryesor strategjik kombëtar për zbatimin e agjendës evropiane, deri në anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në BE. PKAA përgatit Kosovën për përafrim dhe zbatim në tri shtyllat kryesore të BE-së: Kriteret Politike, Kriteret Ekonomike si dhe Standardet Evropiane

Me qëllim të finalizimit të punës në hartimin e PKAA-së Ministria e Integrimit Evropian ka mbledhur më shumë se 60 zyrtar që përfaqësojnë të gjitha institucionet përkatëse publike në kuadër të një punëtorie, njofton Ministria e Integrimeve Evropiane përmes një komunikate.

Në hapje të punëtorisë zëvendësministri i Integrimit Evropian, z. Ramadan Ilazi, tha se “Institucionet e Kosovës do të arrijnë që për herë të parë të hartojnë një dokument i cili do të jetë bazë orientuese strategjike dhe pikë kthese në rrugën me plotë sfida të integrimit Evropian”.

Ai po ashtu shtoi se “Programi Kombëtar për Adaptim të Acquis do të mbulojë periudhën pesëvjeçare 2016-2020 dhe do të fokusohet në tri aspekte strategjike të aderimit në BE: zbatimin e MSA-së, përmbushjen e kritereve afatmesme të Studimit të Fizibilitetit të vitit 2012; duke përfshirë obligimet e Raportit të Progresit dhe veprimet përcjellëse të takimeve të Dialogut për Stabilizim Asociim si dhe transpozimin e legjislacionit të BE-së të paraparë në kuadër të të gjithë kapitujve të Acquis-së” .

Programi Kombëtar për Adaptim të Acquis, pritet të miratohet në Qeveri dhe pastaj të dërgohet për aprovim në Kuvendin e Republikës deri në fund të këtij viti.