MMPH me hapa konkret për përmirësimin e ndotjes së ajrit

Vitin e kaluar, kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, u radhit ndër vendet e para në botë, me cilësinë më te lartë të ndotjes së ajrit.

Lajme

23/10/2018 19:51

E si duket problemi i njëjtë do ta përcjell Prishtinën edhe këtë vit.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dje bëri të ditur se është rikthyer ndotja e ajrit dhe shkaktar për këtë janë termocentralet dhe qymyri për ngrohje.

Sipas matësve të cilësisë së ajrit të vendosur nga ambasada amerikane në kryeqytet, mbrëmë ndotja e ajrit ka shënuar nivelin prej 122 PM, shkruan lajmi.net.

Lidhur më këtë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë ka treguar hapat që janë duke i ndërmarrë për reduktimin e ndotjes së ajrit.

Sipas tyre, problemi i ndotjes së ajrit është problem i shtresuar që nga pas lufta, për të cilin thonë se, nuk priten rezultate të shpejta, sepse varet nga disa ministri se sa shpejtë arrijnë që të përmbushin obligimet e tyre ligjore në fushën e mbrojtjes së ajrit.

Lexo edhe:

Përkundër ndalesës, vazhdon shitja e qymyrit në tregjet e Prishtinës

Leutrim Sahiti, këshilltar politik i ministrit, Fatmir Matoshi, në një përgjigje për lajmi.net ka thënë se, pas vendimit të MASHT-it për ndalimin e përdorimit të thëngjillit në shkolla, kanë kërkuar nga Qeveria që të marrë vendim për ndalimin e thëngjillit edhe në objektet e institucioneve publike, qendrore dhe lokale.

“Pra pas vendimit të MASHT-it për ndalimin e përdorimit të thëngjillit në shkolla, tani kemi kërkuar nga Qeveria që të marrë vendim për ndalimin e thëngjillit edhe në objektet e institucioneve publike, qendrore dhe lokale. Pas kërkesës sonë MZHE ka marrë vendim për ndalimin e dhënies së thëngjillit në formë dhurate për punëtoret e ndërmarrjes së Korporatës Energjetike të Kosovës”, ka thënë  Sahiti.

Ai ka thënë se me përkrahje të Komisionit Evropian, MMPH ka instaluar souftverin qendror mbledhjen e të dhënave të cilësisë ajrit nga stacionet monitoruese dhe paraqiten  e tyre ne kohë reale.

Sahiti po ashtu ka thënë se, ministria do të vazhdojë angazhimin në zbatimin e udhëzimit për kontrollimin e gazrave të veturave, si dhe ndalimin e eksploatimit dhe shitjes së thëngjillit.

“Ministria e Infrastrukturës do të vazhdojë angazhimin në zbatimin e udhëzimit për kontrollimin e gazrave të veturave, me rastin e kontrollimit teknik të automjeteve si dhe fillimin e vendosjes së pullave ambientale nga janari i vitit 2019 ndërsa Policia e Kosovës do të asistojë Inspektoret e Komisionit për Miniera dhe Minerale për ndalimin e eksploatimit dhe shitjes së thëngjillit siç parashihet edhe me ligjin për miniera. Ministria e Shëndetësisë do të punojë në informimin e qytetarëve për pasojat e përdorimit të thëngjillit për ngrohje dhe rëndësinë e mbrojtjes së ajrit nga ndotja”, ka thënë Sahiti.

“Këto janë veprimet që jemi duke i ndërmarrë për reduktimin e ndotjes së ajrit që vjen nga thëngjillit, dhe njëkohësisht po vazhdon investimi nga MZHE për zgjerimin e rrjetit të koogjenerimit në Prishtinë, në mënyrë që qytetaret të kenë një alternative dhe kështu ta ndalohet përdorimi i thëngjillit për ngrohje, ka thënë tutje Sahiti.

Ai po ashtu ka thënë se janë duke pritur rezultate e studimit nga JICA për ndotësit kryesor të ajrit në Prishtinë.

“Ne jemi duke pritur gjithashtu rezultatet e studimit të JICA-s për ndotësit kryesor të ajrit në Prishtinë, rezultate këto që do të shpallen në fillim të muajit nëntor, e të cilit do të na shërbejnë për të ndërmarrë masa veprimi në këtë sezoni vjeshtë-dimër. Vlen të theksohet se mbrojtja e ajrit nga ndotja është në përgjegjësi të komunave të Kosovës, të cilat duhet të hartojnë planit e tyre të veprimit për reduktimin e ndotjes së ajrit. Pavarësisht kësaj ne kemi përkrahur komunat në tejkalimin e këtij problemi dhe do të përkrahim edhe gjatë kësaj sezone siç kemi përkrahur në fillim të këtij viti komunën e Prishtinës”, ka thënë Sahiti.

Kujtojmë, se vitin e kaluar ndotja e ajrit në Prishtinë kishte arritur deri në 400 PM. /Lajmi.net/

Lexo edhe:

Ndotja e ajrit: Komuna e ministria s’dalin në terren, qytetarët nisin sigurimin e qymyrit për dimër