MMPH arsyeton vendimin për shpronësimin e pronave afër KEK-ut

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me anë të një njoftimi për media ka sqaruar vendimin për shpronësimin e 17 pronave të fshatrave Shipitullë dhe Hade të cilat do të përdoren për nevojat e KEK-ut.

Lajme

21/07/2017 15:07

Sipas njoftimit të MMPH-së për shpronësimin e këtyre pronave ka qenë i obliguar KEK,  por për kundër një procesi të gjatë me bisedimet me qytetarët një gjë e tillë nuk është arritur.

Më pas siç thotë kjo ministri ka ardhur kërkesa nga KEK që MMPH në bazë të dispozitave ligjore të nisë shpronësimin e këtyre pronave që gjenden afër të ekskavatorëve të KEK-ut dhe në këtë mënyrë krijohet mundësia për operim dhe aktivitetet minerare në zonën e fshatit Shipitullë dhe Hade, përcjell lajmi.net.

Ky është njoftimi i plotë i MMPH-së:

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në kuadër të kompetencave ligjore rreth problematikës për shpronësim/Zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për nevojat e KEK-ut, Zona Kadastrale: Hade dhe Shipitullë, Komuna Obiliq, ju njofton se:

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK-sh.a), ka qene e obliguar që ta zbatoj Kornizen e politikave të Zhvendosjes  për të arritur marrëveshje me banorët dhe pronarët e tokave që në mënyrë vullnetare të pranojnë zhvendosjen konform procedurave te Kornizës së Politikave të Zhvendosjes, ku kjo marrëveshje e tyre nuk është arritur edhe pas një kohe relativisht të gjatë të cilen KEK-u e ka udhëhequr.

Andaj konform Ligjit nr. 03/L-139 për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme me ndryshimet dhe plotësimet e bëra me Ligjin Nr. 03/L-205, për shkak të emergjencës, KEK-u ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës – MMPH që të fillojë shpronësimi i 17 pronave të cilat gjenden në afërsi të ekskavatorëve të KEK-ut dhe në këtë mënyrë krijohet mundësia për operim dhe aktivitetet minerare në zonën e fshatit Shipitullë dhe Hade.

MMPH me datë 14.07.2017 nga KEK në mënyrë zyrtare përmes shkresës me nr. të protokollit Nr.3570/17 ka pranuar ‘‘Kërkesën për shpronësim’’ të pronave të paluajtshme të pronarëve të cilat preken nga realizimi i Projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për nevoja të KEK-ut dhe menjëher me datën 17.07.2017 ka proceduar vendimin për fillimin e procedurave të shpronësimit në Qeveri, ku Qeveria e Kosovës  në mbledhjen e vet të mbajtur sot me datë 21.07.2017 ka aprovuar kërkesën e MMPH-së

Andaj MMPH siguron pronaret dhe akterët tjerë në këtë proces se do të respektohen ligjet në fuqi dhe do të jetë transparente për të gjitha çështjet që ndërlidhen, duke ju bërë thirrje të gjitha palëve të bëhen pjesë e këtij procesi dhe të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit, e jo në keqinformim të publikut dhe bllokadë të punëve, sepse pasuria e qytetarve si dhe interesi ekonomik i vendit janë prioritete kryesore të punës sonë./Lajmi.net/