MKRS ndihmon në Gjysmëmaratonën e Prishtinës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Memli Krasniqi ka pritur sot në një takim Kryetarin e Federatës së Atletikës të Kosovës (FAK), Halil Sylejmani, me bashkëpunëtorë, ku u diskutua për aspektin e ndërkombëtarizimit, koordinimin e hapave për anëtarësim të FAK-së në Asociacionin Evropian të Atletikës dhe Asociacionin Ndërkombëtar të Federatave të Atletikës (IAAF), në…

Sport

03/04/2014 19:14

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Memli Krasniqi ka pritur sot në një takim Kryetarin e Federatës së Atletikës të Kosovës (FAK), Halil Sylejmani, me bashkëpunëtorë, ku u diskutua për aspektin e ndërkombëtarizimit, koordinimin e hapave për anëtarësim të FAK-së në Asociacionin Evropian të Atletikës dhe Asociacionin Ndërkombëtar të Federatave të Atletikës (IAAF), në renovimin e shtigjeve të atletikës në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Gjithashtu, është biseduar për organizimin e Gjysmëmaratonës Ndërkombëtare të Prishtinës nga ana e FAK-së, që tradicionalisht mbështetet nga ana e MKRS-së. Duke rikonfirmuar aktivitetet mbështetjen për këtë aktivitet, Ministri ka kërkuar nga kryetari i FAK-ut, Sylejmani, që në këtë ngjarje të rëndësishme sportive të angazhohen sa më shumë të rinj, dhe të ftohen sa më shumë atletë të huaj në mënyrë që të jetë një prezantim dhe organizim sa më i mirë, në mënyrë që të promovohet sa më shumë ky aktivitet tradicional.

Po ashtu Ministri Krasniqi ka treguar gatishmërinë e tij në mbështetje të plotë të FAK-së, në çështjen e ndërkombëtarizimit të atletikës dhe anëtarësimit të saj në European Athletics dhe IAAF.

Kreu i FAK-së, Halil Sylejmani, ka informuar ministrin me rrjedhën e përgatitjeve për Gjysmëmaratonën dhe hapat se deri ku kanë arritur në lidhje me ndërkombëtarizim. Po ashtu, ai e ka njoftuar ministrin për aktivitetet dhe arritjet e atletëve dhe punën që realizon FAK-ja.

Sylejmani ka falënderuar ministrin për gatishmërinë e tij dhe të MKRS-së për të ndihmuar atletikën në shumë aspekte, gjë e cila përpos krijimit të lehtësirave për atletë kontribuon edhe në avancimin e këtij sporti përbrenda vendit dhe në ndërkombëtarizimin e tij. Ai me këtë rast ka veçuar investimet që do të bëhen në renovimin komplet të shtigjeve të atletikës në stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’.