MKRS ndan mbi 80 mijë euro për klubet e femrave

Ministria e Sportit i ka ndarë 80 mijë euro për klubet e femrave në futboll, hendboll, volejboll dhe basketboll.

Sport

26/05/2014 20:13

Me qëllim të funksionimit sa më të mirë dhe masivizimit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë sot 82 mijë e 500 euro për 45 klube të femrave të futbollit, hendbollit, basketbollit dhe volejbollit. Nënshkrimi i vendimit u bë sot në një ceremoni zyrtare, ku morrin pjesë edhe sportistet, drejtuesit e federatave përkatëse dhe drejtuesit e klubeve. Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe Ministri Memli Krasniqi.

Në fjalën e tij, ministri Krasniqi tha se ky është një vendim që ka qenë në program më herët dhe u shpreh mjaft i lumtur që shteti ka mundësinë të ndajë fonde për zhvillimin e sportit tek femrat.

“Sot jam shumë i lumtur që një nismë që e kemi pasur në vizionin tonë po e realizojmë. Mbështetja e veçantë për sportin tek femrat është një program global dhe edhe shteti ynë po e realizon. Është për t’u admiruar dhe përgëzuar e gjithë kjo punë që është bërë deri tani, nga të gjitha këto klube, për të mbajtur gjallë sportin tek femrat. Duke parë këtë motiv, sukseset dhe nevojat kjo mbështetje do të jetë një lehtësim edhe më shumë për ju. Ne ju kemi mbështetur në forma të ndryshme edhe më herët, dhe besoj se tashmë kemi krijuar një standard që mbështetja të jetë përherë më e madhe”, tha ai.

Ministri shtoi se femrat në Kosovë kanë treguar potencial të lartë në sport dhe kanë sjellë shumë rezultate për Kosovën.

“Në kohën në të cilën po jetojmë medaljet e para i kemi marrë si shtet nga një femër, një kolege e juaja, Majlinda Kelmendi. Unë shpresoj se kjo traditë do të vazhdojë, dhe në një mënyrë do t’u jepet një mesazh meshkujve, që të djersiten pak më shumë”, tha ministri Krasniqi.