MKRS ndan 50 mijë euro për KOK-un

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe sportit ka ndarë të martën 50 mijë euro për Komitetin Olimpik të Kosovës, si buxhet vjetor për realizimin e programit për vitin 2014. Për këtë gjë, të martën është nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi mes MKRS-së dhe KOK-ut. Vendimi për ndarjen e këtyre mjeteve është marrë nga Ministri i Kulturës, Rinisë…

Sport

01/04/2014 16:10

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe sportit ka ndarë të martën 50 mijë euro për Komitetin Olimpik të Kosovës, si buxhet vjetor për realizimin e programit për vitin 2014.

Për këtë gjë, të martën është nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi mes MKRS-së dhe KOK-ut.

Vendimi për ndarjen e këtyre mjeteve është marrë nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, më qëllim të pavarësimit edhe më të madh financiar të KOK-ut dhe të krijimit të mundësive për zbatimin e planit vjetor që ka KOK, si organi më i lartë sportiv në vend.

Në emër të MKRS-së ka nënshkruar Sekretari i Përgjithshëm, Veton Firzi, ndërkaq për KOK-un, kryetari Besim Hasani.

Në ceremoninë e nënshkrimit i pranishëm ishte edhe Ministri Krasniqi, si dhe anëtarët e Bordit Ekzekutiv të KOK-ut.

Ministri tha se ky memorandum shënon një hap para në funksionalizimin e plotë të KOK-ut dhe është një dëshmi e madhe për mbështetjen që shteti po i jep sportit.

“Ne edhe më herët kemi mbështetur KOK-un në çdo aktivitet. Por me këtë tash ne i lehtësojmë procedurat dhe krijojmë një buxhet bazë, dhe KOK me këtë e ka më të lehtë të realizojë planin e vet. Memorandumi është një hap për realizimin e vizionit tonë që KOK-ut dhe federatave sportive t’ua ndajmë buxhetin vjetor. Ne, së shpejti do ta finalizojmë rregulloren për kategorizimin e sporteve, përmes të cilës do të mund t’i ndajmë buxhetin secilës federatë qysh në fillim të vitit, bazuar në kriteret e përcaktuara nga KOK-u”, ka thënë Ministri Krasniqi.

Nga ana tjetër, kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, ka potencuar se është një bashkëpunim jashtëzakonisht i mirë mes KOK-ut dhe MKRS-së dhe kjo është në funksion të përmbushjes së pretendimeve që ka sporti i Kosovës.

“Ky memorandum që po nënshkruhet sot për ndërrimin e mënyrës së financimit, është i një rëndësie të mirë, ngase së bashku me Bordin Ekzekutiv mund t’i planifikojmë të gjitha që i konsiderojmë me prioritet, dhe për sportin po fillon një periudhë e re”, tha Hasani, duke falënderuar ministrin për punën dhe mbështetjen që i ka dhënë sportit në përgjithësi. Ai tha se për sportin e Kosovës, dhe rrjedhimisht edhe për KOK-un, me këtë mbështetje, është hapur një etapë e re.

Bazuar në këtë memorandum, mjetet prej 50 mijë euro të do të shpenzohen në disa aspekte, që kanë të bëjnë me administratë, organizimin e aktiviteteve brenda Kosovës dhe në pjesëmarrje në aktivitete ndërkombëtare.