MKRS me sqarim publik për opinionin rreth Stadiumit të Prishtinës

Bazuar në shkrimin e publikuar nga Koha Ditore dhe Klan Kosova lidhur me punimet në Stadiumin e Prishtinës: “Bari thahet në Stadiumin e Prishtinës”, e sqarojmë opinionin e gjerë dhe futbolldashësit se ky konstatim nuk qëndron.

Sport

04/05/2018 16:05

Sa i përket barit të fushë lojës (terrenit) së stadiumit të qytetit në Prishtinë, projekt i cili është në fazën e ndërtimit dhe ende nuk është bërë as pranimi teknik e as pranim-dorëzimi i projektit, si MKRS- ende e konsiderojmë të papërfunduar, prandaj opinionet apo informimet e tilla siç kanë qarkulluar nëpër media, veç sa e dëmtojnë dinamikën e punimeve dhe imazhin e investimeve të cilat po realizohen nga Ministria e Kulturës, Rinise dhe Sportit. E në projektin në fjalë ku 90% është investim i MKRS-së ndërsa 10% te vlerës totale të investimeve është e Komunës së Prishtinës.

Duam të sigurojmë të gjithë se punët në stadiumin e Prishtinës janë duke u zhvilluar sipas të gjitha rekomandimeve që kemi pranuar nga UEFA për Kategorinë e IV-të të Stadiumeve sipas Rregullores së UEFA-së. Po ashtu, Federata e Futbollit e Kosovës është pjesë e takimeve te rregullta javore për të parë nga afër rrjedhën mbi ecurinë dhe dinamikën e punimeve, me qëllimin që i gjithë komunikimi me UEFA-në të bëhet përmes Federatës, ashtu që projekti të realizohet sipas rekomandimeve.

Andaj, duam të sqarojmë gjithashtu për opinionin se, kompania e kontraktuar për ekzekutimin e punimeve nën mbikëqyrjen permanente të ministrisë, ka mandat dhe përgjegjësi për anën ekzekutive dhe cilësinë e punimeve të përcaktuara me kontratën e nënshkruar, pasi që projekti është duke u plotësuar vazhdimisht nga Projektuesit nën udhëzimet dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme edhe të Inspektorëve të UEFA-së.

Po ashtu, duam të kujtojmë se publikimi i një fakti ose deklarate të pavërtetë të cilën publikuesi e din ose është dashur ta dijë se fakti dhe deklarata është e pavërtetë, duke e ditur edhe faktin se stadiumi ende është e fazën e rindërtimit dhe nuk kanë përfunduar punimet, lajmet e tilla e dëmtojnë reputacionin e një personit publik, bazuar në LIGJIN NR. 02/L-65 – LIGJI CIVIL KUNDËR SHPIFJES DHE FYERJES dhe kjo është e sanksionuar me ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

E sigurojmë publikun se MKRS-ja është e përkushtuar ta përfundoj këtë investim sipas standardeve të UEFA-s dhe në afatin sa më të shpejtë të mundur, me qëllim që të përmbushen standardet e kërkuara që Kombëtarja e Kosovës dhe klubet e futbollit të Kosovës të zhvillojnë garat ndërkombëtare.

Projekti përfundon me testimin e të gjitha pozicioneve nga Projekt Menaxherët e Kontratës dhe komisioni i pranimit teknik i cili do te nxjerr raport mbi përdorimin e Stadiumit për zhvillimin e aktiviteteve sportive në futboll nga Klubi FC-Prishtina dhe Federatën e Futbollit te Kosovës duke dorëzuar tek pronari komuna e Prishtinës që te veprojë mbi menaxhimin e objektit si aset me interes shtetërore.