Mjeku zviceran ia heq gabimisht dy gjinjtë pacientes

Si rezultat i këtij gabimi, ai pacientes së prekur ia ka amputuar të dy gjinjtë, edhe pse bëhej fjalë vetëm për një tumor të vogël në majën e njërit gji që duhej operuar

Lifestyle

12/06/2018 23:18

Para Gjykatës penale të Luganos, të martën ka filluar procesi gjyqësor ndaj një mjeku të Klinikës “Sant’Anna” në Sorengo të Luganos.

Në vitin 2014, ai ia kishte hequr gabimisht dy gjinjtë pacientes. Në fillim të seancës gjyqësore, avokatët e tij kanë kërkuar prolongim të negociatave.

Akuza kirurgun e rëndon për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore me neglizhencë, si dhe falsifikim të dokumenteve.

Pveprimit të tij, ai nuk ishte siguruar ashtu siç e parasheh obligimi i tij, se cila paciente gjendet para tij, duke e zëvendësuar me një paciente tjetër, shkruajnë mediat zvicerane.

Si rezultat i këtij gabimi, ai pacientes së prekur ia ka amputuar të dy gjinjtë, edhe pse bëhej fjalë vetëm për një tumor të vogël në majën e njërit gji që duhej operuar. Përpos kësaj, ai ishte përpjekur të justifikonte më vonë ndërhyrjen kirurgjikale në regjistrat përkatës të klinikës.

Prokuroria fillimisht kishte kërkuar urdhërdënim prej 120 mëditjeve dhe 3.000 franga gjobë. Por, ky urdhër ishte mohuar nga mjeku dhe tani gjendet përballë trupit gjykues. Në fillim të seancës gjyqësore, avokatët mbrojtës kanë kërkuar prolongim të negociatave gjyqësore, pasi “të drejtat e tyre mbrojtëse ishin dëmtuar rëndë”. Gjykata e ka refuzuar kërkesën e tyre, njofton më tej Albinfo.ch.

Nëpër mediat zvicerane, procesi ka shkaktuar reagime të shumta. E gjithë kjo, pasi gazetarët që zbuluan rastin, u paditën nga klinika për dëmtim të imazhit, por u liruan nga instanca e dytë, transmeton albtech.