Mjeku: Ja sëmundja e rrallë që solli vdekjen e foshnjës në çerdhe

Vdekja e papritur e një foshnje vetëm 13 muajshe në çerdhen shtetërore nr.17 në Tiranë ka lënë në pikëllim të thellë familjen e bebes, por edhe dyshime të forta tek opinoni publik në lidhje me rrethat në të cilat ai humbi jetën.

Lajme

28/02/2015 19:00

Përmes burimeve nga mjekësia ligjore mësohet se nga ekspertët që po kryejnë autopsinë janë përjashtuar faktorët si trauma, thyerje, hematoma apo mbytje dhe po hetohet për shkaqe të tjera.

A1 Report ka intervistuar mjekun pediatër Edi Tushe për të mësuar më shumë për sindromin e “vdekjes së bardhë” prej te cilit dyshohet se ka vdekur foshnja. Mjeku Tushe shprehet se shkak mund të jetë ambienti i çerdhes ku ka fjetur foshnja, por edhe sëmundje të panjohura më parë. Sëmundje si bllokim të mundshëm të enëve të gjakut, goditje të papritura në tru.

“Nuk ka faktorë të njohur, nuk ka shkaqe të njohura për këtë sëmundje. Ndodh me shpeshtësi më të lartë në disa rrethana, vendosja e fëmijës në bark, të flerë në bark në 6 muajt e parë. Faktor shumë i rëndësishëm rreziku është duhanpirja brenda në shtëpi, mjedisi ku vendoset fëmija, dysheku, jastëku, normalisht fëmija nuk duhet të mbajë në 6 muajt e parë të jetës jastëk te koka, edhe nuk duhet të jetë një jastëk i cili zhytet, po ashtu dhe dysheku nuk duhet të jetë i tillë që epet. Fëmija duhet të vishet lirshëm dhe të ketë mundësi të lëvizë. Duhet parë, mund të ketë sëmundje të ndryshme të pazbuluara, të panjohura nga ana e prindërve. Gjaku difektoz, sëmundje zemre të panjohura, enë gjaku të trurit difektoze po ashtu ose goditje të papritura në trurin e fëmijës. Duhet ta pranojmë që dhe mundësia e një vdekje të bardhë të mundur nëqoftëse ambjenti ka qenë shumë i nxehtë, nëqoftëse ka qene shumë i mbështjellë fëmija me shumë tesha, i veshur shumë ngushtë, nëqoftëse dysheku është i papërshtatshëm ose jastëku, të gjitha këto krijojnë situata të papritura që shpesh herë nuk arrin ti kuptosh se përse kanë ndodhur”, deklaroi mjeku pediatër Edi Tushe.

Ekspertiza e plotë mjeko ligjore pritet të dalë pas 10 ditësh e cila do të japë përgjigje mbi shkaqet e vërteta të vdekjes së të miturit në çerdhen publike. (A1Report)

YouTube player