Mjekët paralajmëruan një vit më parë për insulinën e dyshimtë në Kosovë

Endokrinologët Bardhyl Gashi dhe Luan Gola në nëntor të vitit të kaluar ishin ankuar në komisionin parlamentar për shëndetësi për Insulinën Biosemilare.

Lajme

26/07/2017 15:41

 

Insulina për të cilën kishte vendosur Ministria e Shëndetësisë të furnizoi pacientet ishte Insulina Biosemilare, por dy endokrinologët insistonin që të sillej insulina humane apo analoge.

Kjo insulinë u dërgua sot nga Ministria e Shëndetësisë për analizë, pas më shumë se një viti e gjysmë përdorimi nga pacientet kosovarë.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar Luan Golën, i cili ishte ankuar për furnizimin me këtë insulinë, ai ka thënë se qëndron prapa asaj ankese dhe çdo fjalë mund të përdoret nga ai raport.

Gola në nëntor të vitit të kaluar ishte ankuar për shkak se siç kishte thënë ai se insulina e re biosemilare është e ngjashme me insulinën humane por efekti është krejt diçka tjetër.

“Ka dy komponentë e para është ne kemi bërë një kthim prapa. Është diçka tjetër insulina humane dhe është diçka tjetër insulina biosemilare vetë fjala tregon se biologjikisht është e ngjashme por nuk është me efektin e njëjtë”.

“Kompanitë e mëdha pas një periudhe 10-15 vjeçar në atë moment kur e kanë përfunduar aspektin e regjistrimit ato e japin formulën e vetë por asnjëherë atë të plotë, prandaj ky ka qenë një shqetësim i ynë e ky shqetësim po shihet edhe në çdo ditë të punës”, kishte thënë Gola.

Sot gjatë ditës përmes një komunikate të dërguar nga Ministria e Shëndetësisë, njoftohej për dërgimin e këtij medikamenti në Zagreb për të kontroll të cilësisë.