Mjekët nga Australia dhe Kosova nisin në QKUK operimet për 27 fëmijë

Në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK, nga data 30 qershor deri më 7 korrik, po qëndron një ekip i mjekëve nga Australia. Në vazhdën e vizitës së radhës nga profesorët nga Australia dhe ekipi i mjekëve nga Kirurgjia e Fëmijëve, në udhëheqjen e Prof. Dr Nexhmi Hysenit, janë bërë 49 vizita të fëmijëve me anomali kongjenitale shumë të komplikuara.

Lajme

04/07/2018 15:13

Pas vizitave mjekësore janë përzgjedhur për intervenim kirurgjik 7 fëmijë, deri tani janë kryer 13 operacione komplekse, kurse deri të premten pritet të kryhen edhe 14 operacione.

Ekipi i mjekëve po punon gjatë gjithë ditës,  deri në orët e vona të natës, në mënyrë që të gjithë fëmijët që kanë nevojë për operacion të kenë mundësi të marrin këtë shërbim.

“Duke ju falënderuar prof. Pady  Dewanit dhe ekipit vendor, Organizatës Kind Cuts for Kids dhe Komunitetit Shqiptar në Melburn të Australisë, është shpëtuar buxheti i dedikuar për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore në vlerë 530 000 Euro”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

Bashkëpunimi i ngushtë i këtij lloji me profesorë nga Australia ka nisur nga viti 2010 dhe ka dhënë  rezultate të shkëlqyeshme post- operative duke pasur një rëndësi te madhe edhe në edukimin profesionalë të vazhdueshëm të mjekëve, vlerëson QKUK-ja