Mjekët me kontradikta për pajisjet e zemrës

Deklarata kundërthënëse janë bërë nga menaxhmenti i SHSKUK-së dhe Klinika e Kardiologjisë në lidhje me tenderin për “Pajisjet kardiologjike”.

Lajme

24/05/2016 08:26

Kundërthënie janë shprehur edhe mes Klinikës së Kardiologjisë dhe Repartit të Aritmologjisë për përdorimin e pajisjeve pa afat pas risterilizimit

Porosia e sasive të tepruara të pejsmekerëve (pajisje që stabilizojnë ritmin e zemrës) dhe elektrodave që përdoren për të njëjtin qëllim ka nxjerrë në shesh deklarata kundërthënëse mes menaxhmentit të Shërbimit Klinik Universitar dhe Drejtorisë së Klinikës së Kardiologjisë në lidhje me tenderin që i dedikohet pajisjeve për Kardiologji.

Gani Bajraktari, drejtor i Klinikës së Kardiologjisë, përmes një përgjigjeje me shkrim të dhënë për “Zërin” në lidhje me këto pajisje, ka thënë se për të parandaluar grumbullimin e panevojshëm të këtyre impianteve kanë stopuar shpalljen e tenderit.

“Ne kemi stopuar shpalljen e tenderit për to, pa pasur një studim të mirë të nevojave dhe pa konstatuar se stoqet me to do të jenë të zbrazëta”, ka thënë drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, përmes një përgjigjeje me shkrim.

Sa i përket porosive të tepërta të këtyre sasive ai ka thënë se furnizimi me këto impiante është bërë nga kontrata e ish-menaxhmentit të Klinikës së Kardiologjisë.