Mjekët kërcënojnë me ‘rebelim’ nëse nuk u rriten pagat

Federata Sindikale e Shëndetësisë në një takim me Komisionin parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale shpalosi shqetësimet e tyre në lidhje me ligjin për paga.

Lajme

19/12/2018 15:09

Besa Baftiu kryesuese e Komisionit për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale tha se mundësitë që Komisioni të bëjë ndryshime tani janë të vogla.

“Ne si komision i kemi shqyrtua kërkesat e Federatës dhe kemi bërë amendament, çka është më kryesorja ende nuk na ka ardhë në lexim te dytë. Jemi të gatshëm ta mbrojmë amendamentin tonë. Mundësitë tani janë të pakta që ne si Komision të bëjmë diçka”, tha Baftiu.

Blerim Syla Kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë tha se ka një vit që Federata po mundohet të vë rregull në shëndetësi.

Sipas tij informacioni më tronditës është se Ministria e Financave ka thënë se edhe nëse miratohet ligji i pagave tani implementimi fillon në vitin 2020, që sipas tij është e papranueshme.

“Sot kemi ardhur të ju lusim, nëse kryeministri, kryeparlamentari duan me ndihmua në këtë drejtim tash e kanë shansin. Kam frikë që do të marrim masa më të ashpra”, tha ai.

Sipas tij nuk ka justifikim nëse procedohet me buxhet për vitin tjetër pa rritjen e pagave të punëtorëve shëndetësorë.

“Nëse kjo nuk ndodhë ne do t’i dorëzojmë mantelat këtu”, tha Syla, raporton kallxo.com.

Ai paralajmëroi se pas ditës së nesërme kur Federata do të mbledhet për të diskutuar hapat e mëtejmë më nuk do të ketë mundësi për t`u kthyer prapa.

Haxhi Avdyli nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se shanset për të kaluar ligji janë te vogla.

“Po mendojmë që për rritjen e pagave ka ardhë koha që të kërkohet një vendim politik”, tha ai.

Blerim Syla Kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë tha se është jo e drejtë që brenda një viti vetëm njëherë mjekët të kenë takim me kryeministrin e kryeparlamentarin.

“Për 10 vjet shëndetësia ka me u zhduk, s`po e bëj grevën për këta punëtorë tash, por për të ardhmen e Kosovës”, tha ai.

Xhemail Selmani nga Federata Sindikale e Shëndetësisë tha se situata mund të përkeqësohet dhe të ketë edhe tronditje të shtetit.

“Po shpresoj nuk vjen edhe të ndodhë vdekje o nga dhuna o nga mosdhënia e kujdesit mjekësorë”, tha ai.