Mjekët kërcënojnë me grevë shkaku i mungesës së barnave

Mungesa e barnave po irriton pacientët që po presin me muaj, por edhe mjekët që nuk po mund të kryejnë shërbimet dhe si rrjedhojë po kanë probleme me pacientët. Kështu ka thënë kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla.

Lajme

06/06/2018 16:17

Sipas Sylës, gjendja është e rëndë dhe puna është vështirësuar shumë për stafin.

“Kemi mungesë totale të barnave dhe materialit shpenzues e si pasojë nuk po mund të ofrojmë shërbime, nganjëherë po ndërpriten edhe programet operative”, tha Syla për Kallxo.com. Sipas tij, Federata Sindikale e Shëndetësisë disa herë ka biseduar me Ministrin Uran Ismaili, por arsyetim mbetet rishikimi i kontratave.

“Kjo situatë na sjell probleme punëtorëve shëndetësorë e shpesh ndihemi të kërcënuar e të ofenduar nga palët”, tha ai.

Syla nuk e përjashtoi grevën si mjet për të kërkuar që të përmirësohet gjendja e krijuar.

“Ne jemi duke pritur reflektim nga ministri në të kundërtën organet më të larta të Federatës do të marrin hapat e nevojshëm në kohën e duhur, duke mos përjashtuar asnjë formë të reagimit”, tha ai.

Në anën tjetër qytetarët vazhdojnë të raportojnë në Kallxo.com për mungesë të barnave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sot Kallxo.com ka pranuar një tjetër raportim se mungon bari ‘Zoladeks’ që përdoret për trajtimin e kancerit të gjirit.

Për të njëjtin bar muajin e kaluar Kallxo.com-it i ishte thënë se furnizimi do të bëhet shumë shpejt.

Drejtori i Repartit të Onkologjisë, Ekrem Hyseni, kishte thënë për Kallxo.com se me këto medikamente do të furnizoheshin shpejt.

“Anastrazol dhe Zoladek vijnë më 30 maj sipas Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë Hyseni.