Mjekësia ligjore: Mehana kishte ndërruar jetë që në fillim

Fakte të tjera dalin në dritë për kohën e vdekjes së Bashkim Mehanës, personit që kishte mbetur i ngujuar nën gërmadhat e ndërtesës së KEK-ut pas shpërthimit në Termocentralin Kosova A.

Lajme

07/06/2014 00:07

Trupi i tij nuk u nxjerr deri vonë, por mësohet se ai kishte ndërruar jetë qysh në fillim. 

Këtë e ka verifikuar për KosovaPress, Arsim Gërxhaliu, drejtor në Departamentin e Mjekësisë Ligjore, i cili thotë se nuk ishte Bashkim Mehana ai i cili thuhej se kishte thirr në telefon gjatë kohës sa ishte nën gërmadha. 

Gërxhaliu, supozon që ai që ka thirr në telefon, është Tefik Bela i cili u nxjerrë i gjallë. 

“Informatat preliminare flitej për katër persona të cilët mungonin, ndërkohë policia na njoftoj se njëri është lajmëruar, i pari doli pa jetë, i dyti na gëzoj për herë të parë në përvojën tonë që të jetë i gjallë, pritëm që edhe Bashkim Mehana të jetë i gjallë, po e deshi fati që ai të del dhe operacioni përfundoi, nuk ka të tjerë”. 

“Meqenëse ndryshimet tregojnë që në fillim zotri Mehana ka ndërruar jetë. Ma mer mendja që duhet me qenë ai Bela, ai i gjallë me siguri që ndoshta ka komunikuar, sepse ai e ka pasur një hapësirë paksa të lëvizjes edhe pse e kishte pasur një dru rreth qafës, i cili e kishte ndrydhur krahun e thyer, ai ndodhet në QKUK, dëgjova që gjendja e tij është stabile”, ka thënë ai. 

Kështu, Gërxhaliu konfirmoj edhe një herë se viktima e parë që u nxjerrë ishte Latif Jashari rreth 60 vjeçar, pastaj është nxjerrë personi i dytë por i gjallë që është Tefik Bela 28 vjeçar dhe së fundmi viktima Bashkim Mehana 51 vjeçar. 

Kurse familjarët e Bashkim Mehanës, po vazhdojnë të qëndrojnë pranë më të dashurit të tyre në morgun e Departamentit të Mjekësisë Ligjore. (Kosovapress)