Mjegull e ngrica, këto janë temperaturat për pesë ditët e ardhshme

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka bërë të ditur se këtë javë do të mbajë mot kryesisht i vranët.

Lajme

27/01/2019 23:26

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka bërë të ditur se pesë ditët e ardhshme në vendin tonë moti do të jetë kryesisht i vranët, shkruan lajmi.net.

Sipas IHMK-së, e hëna paraqitet me kthjellime, por gjatë pjesës së dytë të ditës priten vranësira të cilat vende-vende do të shoqërohen me riga shiu, kurse në viset malore fjolla të dobëta bore.

Ditët tjera parashihen me mot kryesisht të ndryshueshëm dhe jostabil.

“Reshje shiu dhe bore të cilat parashihen ta përfshijnë gjithë territorin, sërish do të vijnë ditën e mërkurë, më tej, e enjte dhe e premte parashihet me mot të qetë dhe me kushte për reshje të dobëta dhe të izoluara. Në fushat termike, pritet të ketë ngritje, derisa në fushat barike, do të ketë rënje të dukshme, nën vlerat e normales”, thuhet në njoftimin e IHMK-së, shkruan lajmi.net.

Temperaturat minimale parashihen të ulen deri -9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të arrijnë deri në 6 gradë Celsius. Kjo gjendje termike me vlera të larta krahasuar me ditët e fundit, është pasojë e masave të ajrit me origjinë nga juglindja dhe jugperëndimi, por që gjatë natës do të ketë vlera negative të temperaturave për shkak të stabilitetit të troposferës dhe masave të lehta verilindore.

Mëngjeset do të jenë me ngrica të cilat do të vështirësojnë qarkullimin normal të komunikacionit, por këto ngrica do të paraqesin vështirësi edhe për këmbësorët.

Mjegulla do të jetë prezent në orët e para të ditës, si pasojë e ndryshimit të temperaturave dhe kalimeve fazore.

Do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes dhe jugperëndimit me shpejtësi deri 8m/s. /Lajmi.net/