Mjalti Kings’s Honey dyshohet të jetë i rrezikshëm e shitet ende në Kosovë

"King’s Honey” apo mjalti i mbretit, tashmë nuk mund të importohet në Kosovë. Ky produkt është prodhim kinez dhe dyshohet të ketë mbidozë të një përbërësi i cili nuk është i lejuar të konsumohet. Muaj më parë Kroacia e ka larguar nga tregu, për shkak të efekteve anësore që ka.

Lajme

14/09/2014 12:54

Kompanisë kosovare “Tiger Trade”, e cila e importon produktin ‘King’s Honey’ i është dhënë urdhër nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) që të tërheqë produktin nga tregu derisa të dalin analizat laboratorike që do të dëshmonin për sigurinë e këtij produkti.

KosovaPress mëson se një produkt i tillë gjendet akoma në raftet e farmacive në Prishtinë, derisa në Kroaci tashmë është ndalur shitja e tij.

Në AUV thonë se më 2 shtator kanë marrë një shkresë zyrtare nga Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale mbi dyshimin rreth përbërjes së këtij produkti.

Lumir Thaçi, zëdhënës për informim në AUV, thotë për Kosovapress se kanë urdhëruar importuesin që të tërheqë produktin derisa të vërtetohet siguria e tij.

“Ne do të dalim bashkërisht edhe me inspektorët komunalë edhe me inspektorët farmaceutikë, edhe pse inspektorët farmaceutik kanë dalë dhe kanë tërhequr nëpër barnatore dhe kanë urdhëruar që ky produkt duhet të ndalet nga tregu. Ne e urdhërojmë edhe importuesin që përmes distributorëve të vet të gjithë produktin ta tërheqë nga tregu, ta deponojë dhe do të bllombohet nga inspektorët tonë dhe do të priten rezultatet konfirmuese të analizave laboratorike që dëshmojnë sigurinë e këtij produkti”, thotë ai.

Nëse vërtetohet dyshimi i bazuar, atëherë mund të nxirret edhe vendimi për asgjësimin e të gjitha produkteve në Kosovë nga ky brend i prodhimit.

‘Tiger Trade’ SHPK është përfaqësues ekskluziv i ‘King’s Honey’ për Kosovë e cila në vitin 2013 ka nënshkruar marrëveshje për përfaqësim të këtij produkti që prodhohet në Kinë nga kompania ‘Medivital Pharm’ SDN BHD nga Malajzia.

Kjo kompani i ka thënë KosovaPressit se vitin e kaluar ka marrë lejen e punës nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Sipas tyre, dokumentacioni që kanë dorëzuar në AUV ka përfshirë analizat laboratorike në Kroaci dhe në Kinë.

‘King’s Honey’ është i dedikuar kryesisht për meshkujt mbi moshën 18 vjeçare dhe sipas hulumtimeve tradicionale ai ndikon në rritjen e ndjenjës seksuale tek meshkujt.

Ky produkt është ndaluar në Kroaci gjatë muajit gusht, si i dyshuar që ka përbërës të rrezikshëm për shëndetin e njeriut.