Mitrovica e Gjakova shpallen zona të lira ekonomike

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se këto zona do të ndikojnë në ambientin e të bërit biznes dhe ngritjen e investimeve të huaja. Ndërsa zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli këtë hap e quan si vendimin më të rëndësishëm për ardhmërinë ekonomike të Kosovës.

Lajme

18/03/2014 13:12

Qeveria e Kosovës të martën ka marrë vendim që të shpallë zona të lira ekonomike, komunën e Gjakovës dhe atë të Mitrovicës.

Kryeministri Thaçi ka thënë se këto zona do të jenë një mbështetës i fuqishëm i bizneseve në Kosovë, si dhe do të ndikojnë në ngritjen e investimeve të huaja.

“Zonat ekonomike do të ndikojnë edhe në ambientet e të bërit biznes, si dhe do të ndikojë në ngritjen e investimeve të huaj në Republikën e Kosovës”.

“Zonat ekonomike në Mitrovicë dhe Gjakovë, do të jenë mbështetëse të fuqishme të bizneseve kosovare, duke ndikuar pozitivisht në ushtrimin e aktivitetit biznesor me një konkurrencë me bizneset e vendeve të rajonit dhe më gjerë”.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, që njëherësh është edhe ideatori për shpalljen e këtyre komunave si zona të lira ekonomike, këtë vendim e ka vlerësuar si më të rëndësishmin për  Kosovën në fushën e ekonomisë.

“Vendimi që po marrim sot për zonat e lira ekonomike, është njëra ndër vendimet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me ardhmërinë ekonomikë të Kosovës”.

“Zonat ekonomike kanë për qëllim të ofrojnë infrastrukturë më të mirë për bizneset, kushte më të mira për bizneset, kushte më të mira për prodhuesit që kanë për qëllim eksportin si dhe kualitetin e prodhimeve”.

“Ne besojmë që duke ofruar kushte të tilla me zona të lira ekonomike, do të arrijmë të tërheqim një numër të madhe të investitorëve qoftë vendor,  apo ndërkombëtar”.

“Zona e lira ekonomike janë një veprimtari moderne e veprimtarisë ekonomike dhe nuk kanë pretendime politike”.