Mitrovica do të bëhet me kompleks të pishinave

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur në kabinetin e tij, përfaqësuesit e Kompanisë “ACI”, përfituese e projektit për ndërtimin e kompleksit të pishinave dhe objekteve tjera rekreative-sportive afër lumit Ibër, Afrim Durmishi dhe Jusuf Haxhimehmeti, të cilët e kanë njoftuar për përgatitjet që po bëhen për fillimin e realizimit të projektit.

Lajme

12/04/2017 14:09

Komunikata për media njofton se përfaqësuesit e ACI-së, i thanë kreut të Mitrovicës se tashmë i kanë filluar përgatitjet për realizmin e projektit, duke vendosur rrethojat përreth hapësirës ku do të punohet dhe duke e pastruar hapësirën dhe se janë në kontakt me kompani të njohura botërore për kontraktimin e projekteve.

Kompleksi disa milionësh që do të ndërtohet në një hapësirë prej rreth katër  hektarësh, është kompleksi i parë i këtillë në këtë pjesë të Ballkanit dhe përfshin ndërtimin e një pishine të hapur olimpike, një pishinë të mbyllur gjysmë olimpike, pishinën për vaterpolo, kërcimtaren, lumin dembel (i ngadalshëm) për fëmijë, lojëra të ndryshme për fëmijë dhe një hotel.