Mitchell në Beograd: Askush s’ka të drejt t’ia ndalojë Kosovës formimin e Ushtrisë

Ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit për Evropë dhe Euroazi, Wes Mitchell i ka ftuar të dyja palët që t’i përmbushin obligimet që dalin nga Marrëveshja e Brukselit.

Lajme

14/03/2018 12:52

Përveç kësaj, Mitchell gjatë konferencës për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se Kosova ka të drejt t’i formojë forcat profesionale që do të merren me sigurinë dhe se kjo forcë nuk do të jetë kurrfarë kërcënimi për Serbinë dhe serbët.

“Kosova ka të drejt që të formojë forcat profesionale që do të merren me sigurinë dhe në të cilat do të përfshiheshin edhe serbët e Kosovës. Askush nuk ka të drejt t’ia ndaloj Kosovës zhvillimin e një strukture të tillë”, ka thënë Mitchell, transmeton lajmi.net.

Mitchell ka thënë se SHBA-të e mbështesin këtë të drejt të Kosovës, por ka theksuar se për këtë janë të nevojshme ndryshimet kushtetuese.

Ai ka thënë se kjo kërkon shumë punë dhe se SHBA-të janë angazhuar shumë se bashku me kosovarët rreth kësaj.

Mitchell ka thënë se ka biseduar me presidentin e Serbisë dhe se biseda ka qenë e hapur dhe e mirë. Ai tha se kanë biseduar për Kosovën, sigurinë në rajon dhe zhvillimin ekonomik.

Në anën tjetër, Vuçiq ka thënë se me Wes Mitchell ka pasur bisedë të mirë, të hapur dhe përmbajtjesore sa i përket raporteve ndërmjet Serbisë dhe SHBA-ve. Ai ka ironizuar duke thënë se i fton të gjithë që të gjejnë një akt ndërkombëtar sipas të cilit do të lejohet formimi i Ushtrisë së Kosovës. /Lajmi.net/