Mitchell dhe Mogherini në Shkup, në mbështetje të referendumit

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, viziton sot Maqedoninë.

Lajme

13/09/2018 08:49

Ditëve të fundit, personalitete të larta amerikane dhe evropiane kanë qëndruar në Shkup për t’i dhënë mbështetje referendumit të 30 shtatorit, lidhur me Marrëveshjen e Maqedonisë me Greqinë për çështjen e emrit.

Mitchell do të takohet me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, dhe me shefin e diplomacisë, Nikolla Dimitrov.

Mitchell do të ketë takime edhe me kryetarët e grupeve parlamentare në Kuvendin e Maqedonisë.

Gjatë fundjavës, në Shkup është paralajmëruar edhe vizita e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, James Mattis.

Të gjithë diplomatët amerikanë, gjatë vizitave në Shkup, kanë theksuar mbështetjen e fuqishme për Marrëveshjen me Greqinë, si mundësi e vetme për procesin e integrimit euroatlantik të Maqedonisë.

Në këtë kuadër janë edhe mesazhet e diplomatëve evropianë.

Mesazhe të tilla priten edhe nga vizita e shefes për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila gjithashtu sot do të vizitojë Maqedoninë.

Mogherini do të takohet me drejtuesit e institucioneve shtetërore, si dhe me përfaqësuesit e opozitës.