Misteri i Germanwings! Avioni nuk dha sinjal edhe pse ishte në rënie për tetë minuta

Hetuesit që po merren me rrëzimin e avionit të Germanwings thonë se kanë arritur të nxjerrin një regjistrim audio nga kutia e zezë e avionit.

Bota

25/03/2015 20:39

Avioni po fluturonte nga Barcelona drejt Dusseldorfit, kur u rrëzua në Alpet franceze.

Ekspertët thonë se të dhënat janë të përdorshme dhe shpresojnë se kjo do të zbardhë të vërtetën e rrëzimit të avionit.

Misteri mbetet se përse avioni nuk dha asnjë sinjal alarmi, edhe pse ishte në rënie për tetë minuta.

Sipas Daily Mail, një teori sugjeron se avioni mund të jetë rrëzuar për shkak se xhami në dritaren e kabinës mund të ketë krisur, duke bërë që niveli i oksigjenit të bjerë në mënyrë të shpejtë.

Kjo ka bërë që pilotët të humbasin ndjenjat.

Hetuesit thonë se zërat në audio dëgjohen, por sqarojnë se do të duhen ditë e ndoshta edhe javë derisa të zbardhin të plotë ngjarjen.

Një zyrtar i lartë tha se nga 10:30 deri në 10:31 është vitale për hetimin, pasi atëherë ka humbur kontakti me avionin.

Më herët ishte raportuar se avioni ka pasur probleme teknike dhe ishte ulur në tokë vetëm 24 orë përpara tragjedisë.

Disa pilotë të kompanisë Germanwings kanë refuzuar të fluturojnë pas tragjedisë.

Një fluturim i Germanwings nga Dusseldorfi drejt Barcelonës u anulua pasi pilotët thanë se nuk janë në gjendje të fluturojnë.