Mistere mbi ‘EgyptAir’. Piloti njoftoi për tym në bord, por përgënjeshtrohet alarmi SOS (Foto)

Thellohet misteri mbi avionin ‘EgyptAir’ i cili u rrëzua mbi Detin Mesdhe pak minuta pasi u zhduk nga radarët, duke marrë 66 jetë njerëzish. Thuhet se piloti Mohamed Said Ali Ali Shoukair ka humbur kontaktet me radio gjatë udhëtimit nga Parisi në drejtim të Kajros.

Bota

23/05/2016 12:50

Një kanal televiziv francez “TV6” është shprehur se piloti ka njoftuar për tym në bord dhe se ka tentuar një ulje emergjence.

E gjitha kjo, sipas “TV6”, ka ndodhur përpara se avioni të zhdukej nga radarët. Por kjo është përgënjeshtruar në mënyrë të vendosur nga një komunikatë e Kajros dhe kjo është hera e dytë që autoritetet egjiptiane mohojnë ekzistencë e një alarmi “SOS” nga ana e komandantit.

2

Ndërkohë, burime amerikane hedhin dyshime mbi zhvendosjet e avionit përpara tragjedisë.

Një analizë e lidhur pikërisht me dyshimin se “MS804” është rrëzuar për shkak të një atentati ose sabotazhi.

3

Avioni, sipas gazetës “Wall Street Journal”, ka lëvizur në trajektoren: Bruksel, Kajro, Asmara (ndalesë 1 orë), Kajro, Tunizi (ndalesë 1 orë e 15 minuta), Kajro (ndalesë 2 orë) dhe Paris (ndalesë 67 minuta).

Në secilin prej këtyre aeroporteve mund të ketë vepruar një militant, duke imituar veprimin e ISIS-it për rrëzuar avionin rus “Metrojet” në Sinai, nëpërmjet vendosjes së një pajisjeje shpërthyese.

4

Do të duhet kohë për të ekzaminuar punonjësit dhe personelin në këto aeroporte, për më tepër një atmosferë mosbesimi që ka pushtuar gjithë Francën.
Megjithatë për momentin asnjë nga hipotezat nuk është e përjashtuar.