Misioni i Ri nis ndërtimin e ‘Rrugës 6’ (video)

Nën patronazhin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, të enjten u organizua ceremonia e fillimit të punimeve të Autostradës Prishtinë - Hani i Elezit, të njohur si “Rruga 6”.

Lajme

03/07/2014 13:20

Në ceremoninë e cila o mbajt në fshatin Uglar në Fushë Kosovë, afër nyjës lidhëse të Autostradës së Kombit me fillimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, të pranishëm ishin përfaqësues të kabinetit qeveritar të Kosovës dhe Maqedonisë, si dhe përfaqësues diplomatikë të akredituar në Prishtinë.   

Kryeministri në largim, në fjalimin e tij tha se sot është një ditë e veçantë për qytetarët e Kosovës, pasi siç tha ai, me këtë ceremoni modeste po fillon një projekt i madh nga i cili do të përfitojë i gjithë rajoni.  

“Efekti i fillimit dhe ndërtimit të kësaj autostrade  nuk do të jenë vetëm për Kosovën, por do jetë një efekte të rëndësishme për zhvillimin ekonomikë të Kosovës dhe vendeve tjera të rajonit”.

Kryeministri tha se ky projekt nuk do të sjell efekt vetëm në në lidhshmërinë e komunikacionit, por në veçanti do ta ketë efekt të madh  për zhvillim ekonomikë të Republikës së Kosovës, hapjen e vendeve të reja të punës dhe për rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës.

“Sot shteti i Kosovës është njohur nga 107 shtete të fuqishëm të botës demokratike, dhe jo vetëm që po e forcon subjektivitetin e vet ndërkombëtar duke u integruan në shumë mekanizma rajonal dhe ndërkombëtar, por edhe po modernizohet edhe po zhvillohet, dhe shembulli më  i mirë për këtë është ajo që po bëjmë sot, kjo pjesë këtu, ku po fillojmë nderimin e autostradës numër 6, Prishtinë – Hani i Elezit – Shkup”.

“Ne po vazhdojmë për të punuar dhe modernizuar vendin tonë, për ta ndryshuar edhe më fuqishëm vendin tonë, për ta bërë vend evropian”.

“Projekti i autostradës Prishtinë – Shkup është projekti më madhorë i hyni që hynë në kuadër të pikave prej më të rëndësishme qe kemi prezantuar në programin Misioni i Ri, para qytetarëve të Kosovës. Dhe ky projekt ka fituar besimin e qytetarëve të Kosovës”, tha ndër të tjera kryeministri.

Në këtë ceremoni ka folur edhe Musa Xhaferi, zv/kryeministër i Maqedonisë, i cili tha se ndërtimi i autostradës Prishtinë – Shkup do lidhë të dy vendet, do të jetë urë lidhëse mes shqiptarëve dhe do të krijojë një afërsi, gjegjësisht një kohezion social, ekonomikë dhe vëllazëror mes shqiptarëve nga të dyja anët.

“Përgëzoi Qeverinë e Thaçit që pati guximin bashkë me stafin e tij të merr përsipër një projekt kaq të madh dhe të kushtueshëm, dhe jam i sigurt që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës do ta akceptojnë, sepse është shumë i rëndësishme”.

Ndërsa ministri i Infrastrukturës i Republikës së Kosovës, Fehmi Mujota, duke folur në këtë ceremoni tha se nënshkrimi i kontratës më kompaninë Bechtel&Enka, është kontrata më e mirë dhe më e favorshme e arritur në rajon, bazuar në cilësinë dhe standardin e ndërtimit të kësaj autostrade.

“Autostrada që sot po fillojmë përveç se është vepër e madhe infrastrukturore që tejkalon përmasat e rëndësisë dhe dobisë nacionale, është rrugë që ofron kombet, rrugë që rrit bashkëpunimin dhe zhvillimin ekonomikë”, tha Mujota.

Rruga 6, sipas ministrit Mujota, është edhe rrugë e integrimit dhe e sigurisë më të madhe për Kosovën dhe gjithë rajonin, dhe urë lidhës me perspektivë nga e ardhmja.

Projekti i Autostradës Prishtinë – Hani i Elezit do te realizohet nga konsorciumi amerikano-turk “Bechtel&Enka”, bazuar ne standardet ndërkombëtare TEM (Trans European Motorway Standards) dhe ka një çmim Fiks (Lump Sum) prej 599,944,263.54 Euro.