Misioni i Ri do të hartojë strategji gjithëpërfshirëse edhe për shkrim/lexim

Kryeministri Hashim Thaçi ka përkujtuar të hënën  8 Shtatorin – Ditën ndërkombëtare të avancimit të shkrim-leximit, duke thënë se shënimi i kësaj ditë është me rëndësi edhe për Kosovën. 

Lajme

08/09/2014 13:02

Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Thaçi ka thënë se leximi është vendimtar për zhvillimin e burimeve njerëzore, sepse siç ka thënë ai, mundëson procesin e të mësuarit, përmirëson mendimin kritik të çdo personi, dhe rrit inteligjencën.

Lexojeni postimin e plotë të kryeministrit në Facebook:

8 shtatori është Dita Ndërkombëtare e avancimit të Shkrim-Leximit dhe shënimi i kësaj dite është me shumë rëndësi për Kosovën.

Leximi është vendimtar për zhvillimin e burimeve tona njerëzore sepse mundëson procesin e të mësuarit, përmirëson mendimin kritik të çdo personi, shton aftësinë për të përvetësuar dhe kuptuar informacion, rrit inteligjencën emocionale dhe empatinë e qytetarëve që nëpërmjet leximit arrijnë të kuptojnë këndvështrime të njerëzve të tjerë të ndryshëm nga ata.

Si pjesë e Misionit të Ri të ndërtimit të një ekonomie të zhvilluar të mbështetur në burime cilësore njerëzore, me të formuar qeverinë e re ne do të nisim hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse që do të synojë të ndërtojë shprehi sa më të mira të leximit dhe një konsum sa më masiv të librit në Kosovë. HTH