Miroslav Ivanoviq thotë se dyshimet se Milan Radojiçiq i ka vrarë vëllanë është argument shumë i fortë

Miroslav Ivanoviq, vëllai i ish-liderit serb të vrarë Oliver Ivanoviq, ka thënë se Millan Radojiçiq përfolët për shumë ngjarje në veri dhe kjo ka bërë që dyshimi për vrasjen e Ivanoviqit të jetë argument shumë i fortë.

Lajme

16/01/2019 14:09

Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, është njëri ndër të dyshuarit për vrasjen e ish-liderit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, transmeton lajmi.net.

Miroslav Ivanoviq, vëllai i liderit serb të ndjerë në një prononcim për televizionin serb “N1”, në përvjetorin e vrasjes së Ivanoviqit ka thënë se arsyeja përse prokuroria është duke e kërkuar Radojiçiqin si të dyshuar për vrasjen e Ivanoviqit është argument shumë i fortë pasi që sipas tij, Radojiçiq është njëri ndër njerëzit që përfolet më së shumti për ngjarjet që kanë ndodhur në veri të Mitrovicës.

Sipas tij, Radojiçiq ka deklaruar se është i pafajshëm mirëpo, siç shprehet Mirosllav Ivanoviq, vet Milan Radojiçiq është përfshirë në shumë veprime të ndryshme në Kosovë.

Tutje vëllai i Oliver Ivanoviqit ka thënë se ai e ka të vështirë të thotë se kush është fajtor e kush jo mirëpo, ai thotë se të gjitha këto ia ka lënë drejtësisë.

“Është e vështirë për të folur në lidhje me atë se nëse dikush është fajtor apo i pafajshëm, përpara se të flasë drejtësia. Megjithatë dyshimet janë rritur për faktin se pse ky njeri (Milan Radjoiçiq) është vënë përpara drejtësisë për të zbuluar të vërtetën. Ky person është përmendur në kontekstin e të gjitha ngjarjeve në Kosovë, edhe më parë, edhe në kohën e fushatave dhe zgjedhjeve, për mua ky është një fakt shumë i vlefshëm se pse prokuroria është e interesuar për atë person”, është shprehur për televizionin “N1”, Mirosllav Ivanoviq, transmeton më tutje lajmi.net.

Tutje ai ka thënë se nuk mund të flas lidhur me ecurinë e hetimeve për vrasjen e të vëllait.

Sipas Miroslav Ivanoviqit, shkrimet në media dhe përfshirja e politikës në këtë çështje, e kanë bërë edhe më rrëmujë gjithë ngjarjen.

Ai ndërkohë ka konfirmuar se do të marrë pjesë në protestën e sotme që do të organizohet në Beograd me rastin e një vjetorit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Ndryshe Oliver Ivanoviq është vrarë me katër plumba në gjoks më 16 janar të vitit 2018 para zyrës së partisë së tij në veri të Mitrovicës. /Lajmi.net/