Miratohet në parim Plani Operacional

KQZ ka miratuar në parim Planin Operacional për balotazhin e 17 dhjetorit. Koordinatori i QNR’së tha se që nga sonte fillon numërimi i votave me kusht dhe atyre me postë.

Lajme

08/11/2013 18:17

Këshilli Qendror Zgjedhor ka miratuar në parim Planin Operacional për raundin e dytë, atë të balotazhit, që do të zhvillohet më 17 dhjetor.

Kryeshefi Enis Halimi, në mbledhjen e sotme paraqiti planin dhe kërkoi që të miratohet në parim, pasi të hënën do të sjellin në KQZ edhe disa rekomandime të tjera.

“Kemi materialin ‘Informata të përgjithshme për qendrat përkatëse’, si dhe numrin e vendvotimeve që do të shkojnë në rivotim në Mitrovicën Veriore. Po ashtu, në faqen e dytë të këtij materiali e keni shpërndarjen e materialeve që kanë ndodhur më tre nëntor, sipas këtyre qendrave”.

“Po ashtu, kemi edhe një rekomandim nga sekretariati lidhur me distribuimin për rivotimet të fletëvotimeve dhe të materialit tjetër sensitiv”.

Planit operacional iu bashkëngjitën edhe dy kërkesa të Betim Gjoshit, nga PDK, që në një vendvotim të kishte vetëm 700 fletëvotime dhe të tjerat të liheshin rezervë, si dhe votimi me kusht t’iu lejohet vetëm qytetarëve të Mitrovicës.

Florian Dushi, nga LDK, kërkoi që të shtohet personeli te tavolinat ndihmëse, në mënyrë që njerëzit të mos kenë vështirësi ta gjejnë emrin në vendvotime.

“Unë kërkoj nga OSBE’ja, e cila është në rolin e lehtësuesit të këtij procesi, që, nëse është nevoja, të ketë staf shtesë. Mendoj që OSBE’ja tash e ka më të lehtë, sepse janë vetëm tri qendra”.

Adnan Rrustemi, nga Lëvizja Vetëvendosje, kërkoi që të futet në rend dite edhe një kërkesë e tij. Ai kishte sjellë një analizë që kishte të bënte me mospërputhjen e numrit të fletëvotimeve të pranuara në fillim të procesit me numrin e fletëvotimeve të dorëzuara në fund të procesit zgjedhor.

U vendos që kjo kërkesë të verifikohej në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Në mbledhjen e KQZ’së u fol edhe për punën e Qendrës së Numërimit të Rezultateve.

Koordinatori i kësaj qendre, Burim Ahmetaj, paraqiti rekomandimet që kanë të bëjnë me fletëvotimet të cilat janë në karantinë. Ai kërkoi nga KQZ që t’i procedojë si të rregullta këto raste.

Ai gjithashtu informoi se prej sonte fillon numërimi i votave me kusht dhe atyre me postë.

“Procesi i numërimit të rezultateve akoma është duke vazhduar, në mënyrë që të plotësohen dhe të grumbullohen të gjitha materialet, ashtu që ta kemi përpilimin dhe tabelimin e rezultateve përfundimtare”.

“Në këtë raport i keni të dhënat e procesit të numërimit. Mbrëmë, rreth orës 21:00, kemi përfunduar numërimin e fletëvotimeve në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut”.

“QNR është në proces të regjistrimit të votuesve me kusht, e po ashtu jemi në pritje të marrjes së fletëvotimeve me postë, të cilat sonte do të sillen në QNR”.

“Besojmë që sonte do të përfundojë procesi i verifikimit të votave me kusht dhe atyre me postë”.

“Nga 534 raste që janë në karantinë, deri më tash rreth 150 vendvotime janë pastruar nga karantina. QNR rekomandon KQZ’në që t’i procedojë rastet e karantinës si të rregullta”.