Miratohet deklarata për në NATO, pushteti dhe opozita maqedonase votojnë PRO

Me 76 vota PRO dhe asnjë kundër, deputetët i dhanë dritë jeshile mbështetjes së procesit aderues të vendit në NATO. Deputeti i LSDM-së Hari Llokvenec, tha se me hyrjen e vendit në NATO do të vijojë stabiliteti afatgjatë, siguria dhe zhvillimi ekonomik.

Lajme

19/07/2018 17:42

“RM-së i kushton rëndësi të madhe integrimit euroatlantik, që është qëllimi i parë primar dhe mbrojtës i shtetit nga pavarësimi i saj. Qytetarët tanë na dhanë një mandat të qartë për arritjen e këtij qëllimi, fuqishëm u  përcaktuan për të ardhmen evropiane dhe euroatlantike. Një nga detyrat kryesore të qytetarëve dhe shtetit, është sistemi i sigurt i mbrojtjes, i përshtatur për nevojat e RM-së”, tha deputeti i LSDM-së, Hari Llokvenec.

Mbështetje për këtë dhanë dhe deputetët e VMRO-DPMNE-së. Koordinatori i kësaj partie Dragan Danev, tha se VMRO-DPMNE është formuar mbi tri shtylla si parti: për një Maqedoni të pavarur, për hyrjen e vendit në Bashkësinë evropiane dhe për hyrjen e vendit në NATO.

“25 vjet kjo është një vazhdimësi në Maqedoni, e cila na mban në mënyrë konsistente këto 25 vjet. Synimi i RM-së është që një ditë të bëhet anëtare e plotfuqishme dhe e pakontestueshme e NATO-s dhe VMRO-DPMNE do të japë kontribut të fuqishëm në rrugën, sikurse e ka dhënë për anëtaret e plotfuqishme në NATO”, deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Danev.

Një javë më parë, Aleanca Veriatlantike e ka ftuar Maqedoninë që t’i fillojë bisedimet për anëtarësim në NATO. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg ka thënë se Maqedonia do të bëhet anëtare e 30-të e NATO-s pasi t’i ketë përfunduar të gjitha procedurat dhe pasi të ketë zbatuar në tërësi Marrëveshjen me Greqinë për emrin. Deri në anëtarësimin e plotë në NATO duhet të zbatojë referendumin në të cilin qytetarët duhet të deklarohen në referendum se a janë pro anëtarësimit të vendit në strukturat euro-atlantike duke pranuar Marrëveshjen me Greqinë./tv21.tv