Miratohen tetë projektligje në mbledhjen e Qeverisë

Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt të 19-tën me radhë, në të cilën ka miratuar tetë (8) projektligje dhe vendime tjera të fushës së përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Lajme

15/12/2017 11:34

 

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar nga ministrat që të jenë të rregullt me praninë e tyre në seancat e Kuvendit të Republikës, në veçanti kur diskutohen çështjet që lidhen me veprimtarinë e ministrive të tyre si dhe në reduktimin e vizitave jashtë vendit në mënyrë të pakoordinuar.

Më kërkesën e kryeministrit, ministri i Financave ka informuar për procesin e implementimit të Marrëveshjes Kornizë të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Austrisë për financimin e projekteve të ndryshme që implementohen nga komunat e Kosovës. Ministri ka informuar se disa nga komunat janë treguar më efikas në ndërtimin e kapaciteteve për shfrytëzim të këtyre fondeve dhe disa kanë ngecje në këtë drejtim. Ai ka shprehur gatishmërinë e Ministrisë së Financave që të mbështes komunat në realizimin e përfitimeve nga këto fonde.

Qeveria e Kosovës, pas shqyrtimit të kërkesës për sigurimin e parcelës për ndërtimin e kampusit të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, ka miratuar vendimin për ndarjen e parcelës në përputhje me Planin Rregullues Urban të miratuar nga Kuvendi Komunal i Gjilanit në vitin 2013. Sipas vendimit hapësira është 7.30 ha

Serisë së projektligjeve të miratuara sot në mbledhje të Qeverisë i ka prirë Projektligji për pajisjet nën presion. Ky Projektligj ka për qëllim të përcaktojë parimet themelore që mundësojnë garantimin e sigurisë së punës së pajisjeve dhe instrumenteve nën presion. Projektligji përcakton kushtet dhe kërkesat themelore të sigurisë që duhet të respektohen nga operatorët ekonomik që prodhojnë, administrojnë apo shfrytëzojnë enët, pajisjet, pajisjet transportuese apo aerosolët.

Projektligji për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim është projektligji i dytë i miratuar nga Qeveria në mbledhjen e sotme. Projektligji rregullon sistemin e kontabilitetit dhe raportimit financiar të shoqërive tregtare. Gjithashtu rregullon kompetencat dhe përgjegjësit e Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar, kërkesat për auditim, kualifikimet për kontabilist profesional, licencimin e auditorëve dhe të firmave vendore dhe të huaja të auditimit si dhe organizatat profesionale të kontabilitetit.

Listës së projektligjeve të miratuar në mbledhjen e sotme ju ka shtuar edhe Projektligji për kërkesat teknike për produktet dhe vlerësimin e konformitetit. Ky projektligj rregullon mënyrën e përcaktimit të kërkesave teknike për produkte dhe miratimin e rregulloreve teknike. Gjithashtu rregullon vlerësimin e konformitetit të produkteve me kërkesa të përcaktuara teknike, detyrimet e operatorëve ekonomik të produkteve dhe pronarëve të produkteve në përdorim. Gjithashtu në projektligj rregullohet edhe vlefshmëria e dokumenteve të huaja të konformitetit. Projektligji krijon bazën legjislative që do të bëjë të mundur vlerësimin dhe përdorimin e sigurt dhe cilësor të produkteve me qëllim të ruajtjes së shëndetit dhe jetës së konsumatorëve.

Projektligji për produktet e ndërtimit gjithashtu ka marr miratimin e Qeverisë së Kosovës. Projektligji përcakton kushtet për vendosjen apo vënien në dispozicion në treg të produkteve të ndërtimit. Për këtë përcaktohen rregulla të deklarimit të performancës, natyrën dhe përshtatshmërinë e produkteve ndërtimore dhe karakteristikat e tyre themelore apo përshtatshmërinë për përdorim në punimet ndërtimore. Mënyrat se si duhet të tregohet përputhshmëria duhet të tregohet përmes përdorimit të shenjave të përcaktuara me ligj.

Qeveria ka dhënë aprovimin në mbledhjen e sotme edhe për Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës dhe Stitching SPARK-ut të Holandës për mbështetjen e Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë.

Është miratuar edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e Shkollës rajonale të administratës publike (ReSPA). Republika e Shqipërisë, Bosnja dhe Hercegovina, Republika e Kroacisë, Maqedonia, Mali i Zi, Republika e Serbisë dhe Kosova  janë nënshkruese të kësaj marrëveshjeje. Objektivat e kësaj Shkolle janë: përmirësimi i bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE-së; fuqizimi i shkëmbimit të përvojave; fuqizimi i kapaciteteve administrative në administratat publike dhe zhvillimi i burimeve njerëzore në administrata publike të vendeve nënshkruese.

Edhe Projektligji për mbrojtjen e konsumatorit është miratuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme. Ky projektligj rregullon kushtet e tregut në marrëdhëniet biznes – konsumator, të drejtat e konsumatorëve, mbrojtjen administrative dhe gjyqësore të konsumatorëve dhe kuadrin institucional  për mbrojtjen e konsumatorit në Republikën e Kosovës. Projektligji adreson çështjet e rëndësishme në mbrojtje të konsumatorit:

–          Të drejtën për të mbrojtur interesat ekonomike të konsumatorit;

–          Të drejtën e mbrojtjes së rrezikut të jetës, shëndetit dhe të pronës së konsumatorit;

–          Të drejtën e mbrojtjes ligjore të konsumatorit;

–          Të drejtën për t’u ankuar;

–          Të drejtën për kompensim dhe dëmshpërblim;

–          Të drejtën për informim dhe edukim të konsumatorit;

–          Të drejtën e shfrytëzimit të shërbimeve publike;

–          Të drejtën e organizimit në shoqata për mbrojtje të interesave të konsumatorit;

–          Të drejtën për të përfaqësuar interesat e konsumatorit.

I fundit që ka marr aprovimin e kabinetit qeveritar, në mbledhjen e sotme, ka qenë Projektligji për veprimtarit hidrometeorologjike në Republikën e Kosovës. Projektligji ka për qëllim të përcaktojë mënyrën e kryerjes së veprimtarisë hidrometeorologjike, sistemin e paralajmërimit, ekspertizën, produktet dhe shërbimet që ofrohen nga kjo veprimtari. Projektligji përcakton formën e mbështetjes me informata të institucioneve qendrore dhe lokale, publikut dhe institucioneve ndërkombëtare dhe rajonale.

Qeveria ka miratuar vendimin për aprovimin e kërkesës së Ministrisë së Financave për kursimin, ndarjen buxhetore dhe rialokimin e mjeteve te organizatat buxhetore për vitin 2017.

Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar është miratuar Plani Nacional për të drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar 2018-2020, në Republikën e Kosovës. Plani ju bënë thirrje të gjithë akterëve, individëve, organizatave për personat me aftësi të kufizuara, institucioneve dhe të gjithë qytetarëve për zhvillimin e një shoqërie që vlerëson dhe respekton personat me aftësi të kufizuar pa dallim. Suksesi i këtij dokumenti do të reflektojë punën dhe angazhimin e çdo institucioni dhe gjithë Qeverisë së Republikës së Kosovës në promovimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse ku të gjithë personat me aftësi të kufizuar të jenë pjesë e saj.

Me vendimin e miratuar nga kabineti qeveritar është themeluar Komisioni disiplinor për sekretarin e përgjithshëm në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, i cili është suspenduar me vendim të ministrit.

Me kërkesë të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, janë ndarë mjetet në vlerë 30 mijë euro, për rehabilitimin e familjarëve të personave të zhdukur.

Është shqyrtuar dhe miratuar edhe Koncept-dokumenti për kontestet Administrative. Nga analiza në koncept-dokument është konstatuar se nevoja për ndryshimin e legjislacionit për kontestet administrative vjen si rezultat i të metave dhe paqartësive të shumta në ligjin ekzistues. Në praktikë janë hasur vështirësi gjatë zbatimit të tij dhe ka rezultuar me një varg zbrazëtish  dhe paqartësive në këtë ligj. Kjo për pasoj ka pas mos efikasitet dhe vonesa të shumta në procedurat gjyqësore administrative dhe në shkeljen e të drejtave të qytetarit për gjykim të drejtë brenda afatit.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës për miratim të nismës për lidhjen e Marrëveshjes së Bashkëpunimit Financiar Ushtarak me Protokollet Implementuese në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.

Qeveria ka miratuar vendimin për ndarjen e 73 mijë e 826 eurove, për mbulimin e shpenzimeve  të Kampionatit Evropian për Regjione.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka informuar kabinetin qeveritar për procesin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Kosova është duke bërë përgatitjet preliminare për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, institucion që ka një rëndësi të veçantë për zhvillimin e demokracisë dhe integrimin në strukturat evropiane. Rekomandohet krijimi i një task force për bashkërendimin e veprimeve ndërinstitucionale, mes Qeverisë, Presidencës dhe Kuvendit.

Është miratuar edhe vendimi për ratifikimin e listës së anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit. Këshilli zgjidhet me mandat pesë vjeçar, dhe përbërja e këshillit hyn në fuqi ditën e miratimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Me propozimin e Zyrës për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit, Qeveria ka vendosur ndarjen e mjeteve për mbështetjen e kategorive të ndjeshme të komuniteteve etnike.

Qeveria ka autorizuar zëvendëskryeministrin Enver Hoxhaj që të merret me përgatitjet e mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

Kryeministri ka kërkuar nga anëtarët e kabinetit që të kontribuojnë në përfundimin e përgatitjes së Raportit 100 ditorë të punës së Qeverisë së kryesuar nga ai, i cili do t’ju dorëzohet liderëve institucionalë dhe deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kryeministri ka paralajmëruar ministrat dhe i ka ftuar që të jenë prezent në takimin e kabinetit qeveritar të mërkurën kur do të bëhet edhe nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.