Miratimi i Buxhetit 2015, seanca shtyhet për në ora 14:00

Seanca e Kuvendit, për miratim të Buxhetit të Kosovës për vitin 2015, me kërkesë të Grupeve Parlametnare PDK dhe LDK, është shtyrë për në ora 14:00. 

Lajme

29/12/2014 11:00

(E plotësuar) Seanca e Kuvendit ku pritej të miratohej projektligji për Buxhetin e Kosovës për vitin 2015 është shtyrë për në orën 14:00, me propozim të dy grupeve më të mëdha parlamentare, PDK-së dhe LDK-së.

Shtyrja është bërë për t’iu dhënë kohë komisioneve të përhershme parlamentare, që të shqyrtojnë projektligjin e miratuar në shqyrtimin e parë në Kuvend. 

___________________________

Deputetët e “Lista Srpska” kanë braktisur seancën e Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite ishte miratimi i buxhetit të Kosovës në lexim të dytë.

Kuvendi i Kosovës sot do të votojë miratimin e buxhetit të Kosovës për vitin 2015. 

Gjatë kësaj seance pritet të vendoset edhe për fatin e projektit “Kosova e Re”. Qeveria e Kosovës ka vendosur që të mos e marrë riskun për të vendosur për këtë projekt që është prolonguar tash e nëntë vjet, shkruan sot Koha Ditore. 

Në tërë këto vite projekti është ndryshuar disa herë. Fillimisht ka qenë ndërtimi i termocentralit 2100 megavat dhe modernizimi i Mihjes. 

Më vonë u zvogëlua në 1000 megavat, por ishte përfshirë në pako edhe rehabilitimi i termocentralit “Kosova B” dhe Mihja. Tashmë ka mbetur vetëm ndërtimi i një termocentrali me kapacitet prej 600 megavateve.

Tenderi është ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë, që është në proces tani, Qeveria do të përzgjedhë kompaninë që e zhvillon, financon dhe menaxhon projektin.

Por kompania e përzgjedhur as nuk do të ndërtojë e as nuk do të operojë e as të mirëmbajë termocentralin e ri. Për fazën e parë i vetmi operator i interesuar është kompania “Contour Global”.

Në ministrin e Zhvillimit Ekonomik thonë se oferta teknike e dorëzuar nga kjo kompani është në shqyrtim e sipër. Por kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë se nuk do të bëjë shkelje ligjore me rastin e procedimit me këtë projekt.