Miranda për Man Utd

Qendërmbrojtësi i Atletico Madridit, Miranda, ka shtuar spekulimet rreth transferimit në Manchester United duke bërë të ditur se menaxheri i tij është në bisedime me disa klube nga Premierliga.

Sport

10/06/2014 15:39

Mbrojtësi i Atletico Madridit, Miranda ka shtuar mundësinë e transferimit në Premierligë duke pranuar se menaxheri i tij është në bisedime me disa klube nga Anglia rreth mundësisë së transferimit gjatë afatit kalimtar të verës.

Braziliani ishte një prej futbollistëve kryesorë në suksesin e Atletico Madridit në La Ligë, në edicionin e fundit dhe spekulohet me transferim në Manchester United.

Njoftimet e fundit nga Spanja sugjerojnë se United është shumë pranë angazhimit të Mirandas.

Kurse, 29-vjeçari ka bërë të ditur se menaxheri i tij është duke diskutuar mundësinë e transferimit te një klub nga Premierliga.

“Kam disa oferta dhe jemi duke negociuar”, deklaroi Miranda për Radio ESPN.

“Kam disa oferta nga liga spanjolle dhe angleze, dhe shtete të tjera, po ashtu. Menaxheri im është në Evropë duke vendosur për të ardhmen, dëmshpërblimi në kontratën time me Atleticon është 30 milionë euro, por edhe ajo mund të negociohet”, përfundoi ai.