Miqtë ndikojnë pozitivisht në zakonet tuaja të ushqyerit

A keni menduar ndonjëherë që miqtë tuaj ndikojnë pozitivisht edhe në zakonet tuaja të të ushqyerit? Përgjigja është po !

Lifestyle

16/07/2016 16:36

Kërkuesit kanë zbuluar se personat me të cilët konsumoni ushqimin, ndikojnë në mënyrë të pavetëdijshme te ju që të krijoni zakone më të shëndetshme të ushqimit.

Është ditur prej kohësh se njerëzit e përshtatin sjelljen me pritshmëritë sociale ndaj tyre  dhe zgjedhja e ushqimit nuk përbën përjashtim. Dhe ajo që miqtë tuaj konsumojnë ka një ndikim të madh në dietën tuaj gjithashtu, paralajmërojnë shkencëtarët.

Ekspozimi ndaj mesazheve që promovojnë të ngrënit shëndetshëm mund të tundojnë njerëzit që të ushqehen më mirë, ndërsa pakësojnë vaktet e ndërmjetshme, sugjeron kërkimi i ri.

Nëse shihni që të tjerët po e shijojnë konsumin e frutave dhe perimeve, kjo ka një efekt shumë të fuqishëm, pasi konsiderohet si një “normë shoqërore”. Kërkuesit nga Universiteti i Birmingham-it u kërkuan pjesëmarrësve të vlerësonin postera të ndryshëm.

Një grup pa një poster ku shfaqeshin rezultatet e një anketimi që sugjeronte se studentit të zakonshëm i pëlqente të hante shëndetshëm, ndërsa grupi tjetër pa fakte që nuk kishin lidhje rreth universitetit.Atyre iu kërkua të vlerësonin emocionet e tyre dhe të shijonin ushqime të shëndetshme, përfshirë kastravecin dhe rrushin, si dhe disa ushqime të tjera me shumë kalori, si biskotat dhe patatinat.

Pjesëmarrësit që u ekspozuan ndaj posterit që nxiste konsumin e ushqimit të shëndetshëm konsuamuan më tepër kastravec dhe rrush gjatë testit, por vetëm nëse nuk konsumonin zakonisht fruta dhe perime në dietën e përditshme.

Ata që tashmë hanin çdo ditë fruta dhe perime nuk hëngrën më shumë kastravec apo rrush, por më pak biskota dhe patatina. Është interesante se shumica e njerëzve nuk ishin në dijeni të faktit se dy studimet ishin të lidhura dhe nuk ishin të vetëdijshëm se sjellja e tyre ishte devijuar nga ekspozimi ndaj mesazhit.

Sipas autorëve të studimit, zbulimet e tyre tregojnë për një qasje të re të promovimit të konsumit të ushqimit të shëndetshëm.

Dr. Jason Thomas tha: “Mund të jetë më efektive në kuptimin e promovimit të shëndetit të nënvijëzohet se sa shumë u shijojnë të tjerëve perimet dhe frutat, në vend që t’u thuhet njerëzve se ato u bëjnë më mirë atyre”.

Kërkuesit tani janë të interesuar të zbulojnë më tepër përse mesazhet që kalojnë nga shoqëria janë efektivisht me më shumë ndikim dhe nëse kjo strategji mund të zbatohet në mjedisin e kafeneve dhe supermarketeve. Zbulimi vjen pas një studimi që arriti në përfundimin se ne jemi më të lumtur kur konsumojmë fruta dhe perime.