Miqësorja e Kosovës na afron me ndërkombëtarizimin

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani mendon se miqësoret e fundit të Përfaqësueses së Kosovës në futboll do ta ndihmojë Komitetin Olimpik të Kosovës, t’i afrohet anëtarësimit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Sport

21/05/2014 12:08

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) do t’ia shohë hairin Përfaqësueses së Kosovës, pas zhvillimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare.

Ekipi i Albert Bunjakut do të përballet të mërkurën me Turqinë në Mitrovicë, dhe presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, insiston se kjo është një shtytje e madhe drejt pranimit të institucionit që ai e drejton, në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (KON).

“Futbolli është sporti ynë më popullor. Ndeshja e disa javëve më parë ndërmjet Kosovës dhe Haitit, mendoj se e ka zgjuar interesimin e tërë popullit”, ka thënë Hasani për ‘Insidethegames’.

“Nuk ishte vetëm një ndeshje futbolli, por një festival, dhe nëse stadiumi do t’i kishte 200,000 ulëse, do të kishte 200,000 njerëz aty”, vazhdoi ai.

“Interesimi i mediave ka qenë po ashtu i rëndësishëm dhe i shton shpresat që një ditë, sportistët tanë do ta kenë mundësinë të garojnë në ndeshje ndërkombëtare dhe në kualifikime për Botëror e Evropian”, ka shtuar njeriu i parë i sportit kosovar.

“Mendoj se vëmendja që po e merr Përfaqësuesja e futbollit, do të ndihmojë që të krijohet një atmosferë më e mirë këtu dhe shpresojmë që Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të mendojë se si ta gjejë një zgjidhje për ne\”.

“Kjo do t’ju shërbejë atyre që t’i zgjidhin problemet politike dhe ta pranojnë Komitetin tonë si pjesë e KON-it”, përfundoi Hasani.