Ministrja serbe për Ballist Morinën: Nuk e dimë kur do ekstradohet

Serbia nuk ka asnjë informacion se kur do ta ekstradojë Kroacia Ismail Morinën, e pohuar kjo nga vetë Ministrja e Drejtësisë, Nela Kuburoviç.

Lajme

03/01/2018 16:00

Në një intervistë dhënë gazetës “Blic” të Beogradit, Kuburoviç thekson se nuk ka një afat sipas të cilit duhet të veprojë ministrja e Drejtësisë pas marrjes së një vendimi të gjykatës mbi përmbushjen e kushteve të dorëzimit.Por një gjë e tillë, sipas saj, mund të ndodhë brenda një viti, periudhë gjatë të cilës personi mbahet në burg me qëllim ekstradimin. Ismail Morina vazhdon të mbetet prapa hekurave në Dubrovnik, që prej qershorit 2017 kur u arrestua në bazë të një fletë-arresti të lëshuar nga Serbia nën akuzën e nxitjes së akteve kriminale mes vendeve, e cila mund t’i sjellë një dënim prej maksimumi 8 vitesh, heqje lirie.

Morina i njohur dhe me nofkën Ballisti, lëshoi gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri tetorin e vitit 2014 një dron me hartën e Shqipërisë së madhe dhe portretet e Ismail Qemalit e të Isa Boletinit.

Për Beogradin, kjo përbën një vepër penale ndaj dhe serbët e kërkojnë tani me çdo kusht, ekstradimin e tij. Gjesti i Morinës i tërboi nacionalistët serbë, por ngjalli admirimin e atyre shqiptare që e shohin ndjekjen e çështjes së tij nga gjykatat si persekutim.

Ndalimi i tij nga policia kroate erdhi në kohën kur po udhëtonte drejt Italisë, në të cilën ka jetuar prej vitesh bashkë me familjen e vet.