Ministrja Hoxha: Puna e përbashkët lehtëson realizimin e MSA-së

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në ekspozenë gjatë interpelancës ka theksuar se Qeveria gjithashtu ka bërë hapa shumë të rëndësishëm në konsolidimin e planifikimit dhe zbatimit të politikave nacionale për zbatimin e MSA-së, fokusi ka qenë në planifikimin dhe zbatimin e dy dokumenteve nacionale për zbatimin e MSA-së: Agjendës për Reforma Evropiane (ERA) dhe Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së.

Lajme

19/06/2018 14:36

“Plani i Veprimit për ERA parasheh zbatimin deri në fund të këtij viti të rreth 130 reformave strategjike të rëndësisë më të lartë politike për përmbushjen e detyrimeve të MSA-së. Në vijim të përmbushjes së këtyre prioriteteve, më 10 nëntor 2017 Qeveria miratoi dokumentin Prioritetet kyçe të agjendës evropiane për vitin 2018, i cili parasheh zbatimin deri në fund të vitit 2018. Zbatimi i prioriteteve të ERA-s është përshpejtuar me marrjen e detyrës së Qeverisë së re”, theksoi Ministrja Hoxha.

Sa i përket qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit, ceku ministrja Hoxha, kemi përgatitur dhe së shpejti do ta miratojmë pakon e ligjeve kornizë, të cilët do të krijojnë administratë publike efektive, meritokratike dhe në shërbim të qytetarëve.

Sa i përket PKZMSA, Ministria e Integrimit, rregullisht harton raporte tre mujore për zbatimin e tij si dhe të njëjtat i raporton në Qeveri duke kërkuar vëmendjen e të gjitha institucioneve në përshpejtimin e reformave për zbatimin e masave të specifikuara në PKZMSA theksoi Ministrja Hoxha, si dhe harton raportin vjetor mbi zbatimin e masave afatshkurtra të PKZMSA-së. Në aspektin e përmbajtjes, vuri në dukje Ministrja Hoxha, raportet japin një pasqyrë sasiore të zbatimit të masave gjatë periudhës raportuese në nivel të Programit në tërësi, të secilit bllok dhe të secilit kapitull, japin një vlerësim cilësor të gjendjes në çdo kapitull, duke përmbledhur sfidat kryesore në zbatim dhe ato të mundshme gjatë pjesës së mbetur të vitit, duke theksuar çështjet që kërkojnë vëmendje të veçantë në nivel të lartë politik, po ashtu ministrja theksoi synimet e shkallës së zbatimit prej 60% në 2018.

“Me theks të veçantë duhet të fokusohemi në fuqizimin e zbatimit të ligjeve, implementimin e reformës së administratës publike, avancimin e politikave të punësimit dhe arsimit, vazhdimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, theksoi Ministrja Hoxha.

Disa herë kam insistuar në krijimin e një konsensusi nacional për reformat dhe proceset që janë pjesë e rrugës sonë drejt integrimit e sidomos masave që janë pjesë e PKZMSA, theksoi Ministrja Hoxha, asnjë projektligj, reformë apo proces tjetër nuk guxon të ngec për shkak të mos pajtimeve politike e partiake.

“Zbatimi i MSA-së nuk është agjendë partiake por agjendë shtetërore, nuk është diçka për të cilën duhet të angazhohet vetëm Qeveria, por duhet të angazhohen të gjitha institucionet dhe sigurisht duhet përkrahja edhe e opozitës sidomos kur kemi të bëjmë me masat legjislative”, theksoi Ministrja Hoxha, duke ofruar në dispozicion që të ndaj me deputetët të gjitha raportet që disponon ministria, me qëllim të punës së përbashkët për të adresuar sfidat në këtë proces aq të rëndësishëm për vendin.