Ministritë në llupën e Auditorit – Rekomandimet që u zbatuan gjatë vitit 2018

Sa u treguan të përgjegjshme ministritë për rekomandimet e Auditorit?

Lajme

03/01/2019 13:12

Publikimi i raportit të Auditorit për vitin 2017, vuri në pah parregullsitë, dallaveret, e mungesën e përgjegjësisë nëpër ministri, shkruan lajmi.net.

Punëtorët e disa ministrive as nuk kishin dëshmi për punët të cilat i kanë kryer, menaxhim i dobët i mjeteve financiare, ndërmarrja e veprimeve dhe lidhja e kontratave pa kurrfarë baze financiare, e shumë të gjetura të tjera ishin evidentuar nga ZKA për këto institucione.

Lexo edhe:

http://lajmi.net/dallavere-parregullsi-e-punesime-te-paligjshme-sa-i-zbatuan-komunat-rekomandimet-e-auditorit/

Bashkë me të gjeturat, ZKA i kishte publikuar edhe rekomandimet e tyre, që lidheshin me këto vërejtje.

E si duket, rekomandimet ndikuan për të mirë nëpër ministri.

Nga ministritë thotë se është bërë punë e mirë gjatë vitit 2018 lidhur me rekomandimet e auditorit.

Ministria e Shëndetësisë – Lidhja e Kontratave dhe Lista e Barnave Esenciale

Në raportin e Auditorit të publikuar për vitin 2017, në Ministrinë e Shëndetësisë ishin evidentuar një numër i madh i parregullsive.

Ndër të tjera, përmendeshin Lista e Barnave Esenciale, në të cilat gjendeshin edhe barna të panevojshme.

Po ashtu, Auditori kishte evidentuar shkelje të kontratave si dhe pagesa të pa mbuluara.

Por, gjatë këtij viti, ministria e udhëhequr nga Uran Ismaili, siç duket i mori me shumë seriozitet këto të gjetura.

Në një përgjigje për lajmi.net nga kjo ministri është bërë e ditur se MSH-ja gjatë vitit 2018 ka themeluar një grup pune, i cili ka pasur për qëllim të adresojë secilën të gjetur dhe gjithashtu të raportojë në baza të rregullta më zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga Auditori.

“Shumica absolute e këtyre rekomandimeve janë adresuar, përfshirë edhe ngritjen e disiplinës financiare në MSh, kontraktimin e barnave me çmime të tregur duke kursyer buxhetin, mbylljen e çdo avansi të bërë gjatë vitit 2018 dhe, gjithashtu e ka adresuar edhe çështjen e barnave të cilat janë pjesë e Listës së Barnave Esenciale, por që nuk janë kërkuar nga institucionet nga MSH-ja”, thuhet në përgjigjen e ministrisë së Shëndetësisë.

Po ashtu, nga kjo ministri thonë se MSH është në proces të revidimit të Listës së Barnave Esenciale, dhe se përmes komitetit teknik të LIBE-së, u ka kërkuar institucioneve shëndetësore që t’i identifikojnë dhe analizojnë të gjitha ato barna që janë pjesë e Listës së Barnave Esenciale

“MSH është në proces të revidimit të Listës së Barnave Esenciale dhe përmes Komitetit teknik të LIBE-së u ka kërkuar institucioneve shëndetësore që t’i identifikojnë dhe analizojnë të gjitha ato barna që janë pjesë e Listës së Barnave Esenciale në fuqi në mënyrë që barnat të cilat nuk porositen apo nuk janë të nevojshme për institucionet të mos jenë pjesë e Listës së re të Barnave Esenciale”, arsyetohet nga kjo ministri.

Siç bën të ditur kjo ministri për lajmi.net, Grupi Punues është duke e udhëzuar zbatimin e çdo rekomandimi, dhe do të kërkojë nga institucionet përkatëse të saj që janë përgjegjëse për zbatimin e të njëjtit, që të raportojnë tek Zyrtari më i Lartë Administrativ dhe te ministri Ismaili, përmes të cilit do të njoftohet edhe Auditori Kombëtar.

“Si rezultat i këtij monitorimi që është duke e bërë MSH-ja rreth rekomandimeve të Auditorit dhe zbatimit të tyre, është e bindur se në raportet vijuese të Auditorit, do të reflektojnë këto veprime duke përmirësuar performancën e MSh-së si nga aspekti i pasqyrave financiare, ashtu edhe në vijat e tjera të përgjegjësisë”, përfundohet në përgjigjen e ministrisë së Shëndetësisë për lajmi.net.

Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale – dhënia e pensioneve për njerëzit e vdekur

Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale kishte dhënë pensione në vlerë prej 111 mijë eurosh gjatë vitit 2017 për personat e vdekur.

Kjo ishte evidentuar nga Auditori përgjatë vitit 2018, përderisa ishin përmendur edhe paga me koeficient të ndryshëm për pozita të njëjta në ministri si dhe kontrata të parregullta.

Gjithsej, Zyra Kombëtare e Auditorit kishte 16 rekomandime për ministrinë e Udhëhequr nga ministri Skënder Reçica.

Por çfarë thonë nga kjo ministri për këto rekomandime dhe angazhimet gjatë vitit që lamë pas?

Në një përgjigje për lajmi.net nga MPMS, thuhet se kjo ministri, të gjitha rekomandimet nga raporti i Auditorit i ka trajtuar me kujdes dhe ka ndërmarrë veprime të duhura.

Megjithëse nuk përmenden këto veprime, nga kjo ministri thonë se kanë filluar me punë edhe pse problematikat kanë qenë tash e sa kohë.

“MPMS të gjitha rekomandimet e bëra nga raporti i auditimit të Zyres së Auditorit Kombëtar, i ka trajtuar me kujdes dhe për të gjitha ato ka ndërmarrë veprimet e duhura. Këto veprime kanë filluar (edhe pse kanë qene në vazhdimësi edhe më parë), të bëhen dhe si të tilla kanë ndikuar në shtimin e nivelit të angazhimit në punë te zyrtarëve të MPMS-së”, thuhet në përgjigjen e MPMS-së për lajmi.net.

E për çështjen e lartpërmendur, atë të dhënies së pensioneve për të vdekurit, nga kjo ministri thonë se për të gjitha rastet e keqpërdorimit eventual, kanë filluar procedurat përkatëse për kthimin e mjeteve.

“Sa i përket shpenzimit të 111 mijë eurove për pensionistët e vdekur, ju informojmë se për të gjitha rastet e keqpërdorimit eventual ose marrjes së pensioneve nga ana e familjarëve pas vdekjes se pensionistit, kanë filluar procedurat përkatëse për kthimin e mjeteve. Mirëpo, duke marrë parasysh numrin e madh të përfituesve të pensioneve (më teper se 260 mijë) për të gjitha pensionet dhe beneficionet si dhe mjetet e shpenzuara vetëm për vitin 2017 vlerësojmë se MPMS ka qene mjaft e angazhuar dhe ka rezultate të mira sa i përket menaxhimit të parasë publike”, thuhet në përgjigjen e MPMS-së për lajmi.net.

Vlerësimi i ZKA-së për angazhimet e Institucioneve lidhur me të gjeturat

Zyra Kombëtare e Auditimit në një përgjigje për lajmi.net e cilëson si indikacion pozitiv, faktin që zyrtarët publik për zbatimin e rekomandimeve.

Nga kjo zyrë thonë se deri më tani nuk janë në gjendje të konstatojnë më saktësi se sa janë përmbushur rekomandimet dhe i janë përgjigjur ministritë të gjeturave për vitin paraprak.

“Rekomandimet e auditimit që janë dhënë në raportet individuale të auditimit për vitin 2017 janë në proces të zbatimit. Të gjitha institucionet e audituara kanë hartuar dhe dorëzuar tek Zyra Kombëtare e Auditimit Planet e veprimit. Meqë auditimi është në proces, në këtë fazë nuk jemi në gjendje të konstatojmë me saktësi se sa janë përmbushur rekomandimet, edhe për faktin që një pjesë e këtyre rekomandimeve kërkojnë një periudhe më të gjatë për zbatim dhe si të tilla janë planifikuar të zbatohen në vitin 2019”, thuhet në përgjigjen e ZKA-së për lajmi.net.

Në ndërkohë raportet finale të auditimit të cilat do të publikohen në vitin 2019 gjatë muajve maj e qershor do të përmbajnë informata më të hollësishme për shkallën e zbatimit të rekomandimeve.

Megjithatë, deri më tani, sipas ZKA-së, institucionet komunale kanë një nivel më të ulët të zbatimit të rekomandimeve, dhe rrjedhimisht ministritë kanë përformuar më mirë se Komunat.

Kujtojmë se Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar, i cili me Kushtetutën dhe ligjet e vendit gëzon pavarësi funksionale, financiare dhe operative.

Zyra e Kombëtare e Auditimit kryen auditime të rregullsisë dhe të performancës dhe për punën e vet i jep llogari Kuvendit të Kosovës. /Endrit Dragaj /Lajmi.net/