Ministria shkel ligjin e prokurimit në tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve

Ministria e Infrastrukturës i ka rehatuar 14 kompani në tenderin 9.1 milionë euro për mirëmbajtjen dimërore dhe atë verore të rrugëve.

Lajme

04/11/2014 07:55

Kjo ministri e ka ndarë tenderin në 14 llote-pjesë, dhe për secilën pjesë ka rekomanduar për kontratë kompani të ndryshme, shkruan Koha Ditore..

Në njoftimin për dhënie të kontratës thuhet se për këtë tender janë dorëzuar 33 oferta.

Prej tyre në 14 llotet e këtij tenderi kanë qenë të përgjegjshme, vetëm 15 oferta.

Pra, në 13 llote nuk ka pasur konkurrencë dhe Ministria i ka rekomanduar për kontratë, edhe pse ka qenë vetëm një ofertues i përgjegjshëm.

Vetëm në një prej lloteve kanë qenë dy ofertues.

Ndërkaq, neni 32 i Ligjit të Prokurimit Publik kërkon që tenderi të anulohet nëse pranohen më pak se dy oferta për një tender.

“Nëse gjatë zbatimit të procedurave të prokurimit pranohem më pak se dy tenderë të përgjegjshëm ose kur është e zbatueshme, kërkesa për pjesëmarrje, autoriteti kontraktues duhet të anulojë aktivitetin e prokurimit”, thuhet në paragrafin e katër të nenit 32.

Fidan Kalaja nga Lëvizja FOL ka thënë për gazetën se Ministria e Infrastrukturës ka “humbur kredibilitetin”.

Ai ka thënë se kjo ministri është dashur që të anulojë këtë tender sepse bie ndesh me ligjin e prokurimit.

“Ministria e Infrastrukturës e ka humbur çdo kredibilitet dhe besimin që kjo ministri mund të nisë e përfundojë një tender pa afera korruptuese dhe pa keqpërdorimin e pozitës zyrtare nga zyrtarët e saj”.

“Kanë qenë më shumë se 30 kompani që kanë aplikuar në këtë tender, prandaj nuk ka pasur asnjë mundësi dhe arsye që të procedohet me tender njëburimor. Ligji i prokurimit publik kërkon që tenderi të anulohet nëse ka vetën një ofertë të përgjegjshme”, ka thënë Kalaja.