Ministria ndan 800 mijë euro për gjimnazin që nisi para katër vjetëve

Ministria e Financave e Republikës së Kosovës ka ndarë 800 mijë euro për përfundimin e projektit të objektit të gjimnazit “Hamzë Jashari”, ndërtimi i të cilit ka nisur që katër vjet. Ndërsa Ministria e Arsimit ka ndarë 450 mijë euro për ndërtimin e shkollës fillore në Polac.

Lajme

26/12/2017 11:04

Objekti i ri i shkollës së mesme, gjimnazi “Hamzë Jashari”, që ka nisur të ndërtohet para më shumë se katër vjetësh, nuk do të përfundojë as në vitin 2018, ndonëse zotimet ishin që nxënësit të mësojnë në objektin e ri që nga viti shkollor 2017/2018.

Këtë e konfirmon njoftimi i Qeverisë së Kosovës, respektivisht i Ministrisë së Financave, sipas të cilit për ta përfunduar objektin janë ndarë 800 mijë euro të tjera, 400 mijë euro në vitin 2018 dhe 400 mijë euro të tjera në vitin 2019.

“Në programin ‘Investimet kapitale në arsimin parauniversitar’ me kod 98100 shtohet projekti i ri ‘Ndërtimi i shkollës së mesme ‘Hamzë Jashari’, Skenderaj në shumën prej 400 mijë eurosh në vitin 2018. Në vitin 2019 shtohet shuma prej 400 mijë eurosh”, thuhet në Nenin 3.2 të Ligjit për Buxhetin./zeri