Ministria e Tregtisë premton ushqim të sigurt

Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Avni Kastrati tha të martën se mbrojtja e konsumatorit ka të bëjë me krijimin e një ambienti të sigurt, se të gjitha produktet dhe artikujt që ata dëshirojnë t’i blejnë për nevojat e familjeve të tyre të jenë të sigurta, po ashtu edhe shërbimet që iu ofrohen konsumatorëve nga operatorët të jenë kualitative dhe në hap me kohën.

Lajme

17/03/2015 19:01

Kastrati ka deklaruar kështu me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Konsumatorit, të organizuar në tryezën me temën kushtuar sigurisë së ushqimit.

“Rregullimi i kësaj fushe mbështetet në shëndetin e konsumatorit, sigurinë e konsumatorit dhe mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit. Politikat e mbrojtjes së konsumatorit mbulojnë fusha të gjera të veprimit të cilat, sa janë dinamike janë po aq të gjera dhe të rëndësishme për interesat e konsumatorëve, andaj si të tilla këto politika kërkojnë planifikim dhe strategji precize, por edhe angazhim dhe koordinim të vazhdueshëm të të gjithë aktorëve te përfshirë”, tha Kastrati, duke shtuar se një rol mjaft të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit ka edhe zëri i shoqërisë civile.

Kastrati po ashtu theksoi se MTI-ja është e zotuar që të vazhdojë të përmirësojë pozitën e konsumatorit përmes hartimit të legjislacionit dhe dokumenteve strategjike, si dhe ngritjes së bashkëpunimit me të gjitha organet përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorit për një ambient sa më të përshtatshëm për konsumatorët.

Nijazi Shala, udhëheqës i Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, duke iu referuar gjendjes në Kosovë nga spektri institucional publik, theksoi se deri tani ka pasur të arritura, sidomos nëse konsiderohet konsolidimi i një lloj rrjeti karshi infrastrukturës së cilësisë.

“Në ketë drejtim, vetëm në kuadër të institucionit të MTI-së ekzistojnë pesë komponente të Infrastrukturës së Cilësisë dhe Vlerësimit të Konformitetit, sikurse standardizimi, akreditimi, metrologjia, mbikëqyrja e tregut, mbrojtja e konsumatorit”, tha Shala.

Ndërkaq, Libor Chlad, përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka folur për mbështetjen e projektit të lëvizjes së lirë të mallrave dhe mbrojtjes së konsumatorit në Kosovë.