Ministria e Tregtisë: Nuk ka naftë të cilësisë së dobët në Kosovë

Bernard Nikaj nga MTI thotë se nafta që hyn në Kosovë nuk është as e cilësisë së dobët e as kancerogjene. Ai thotë se në Kosovë është shtuar numri i investimeve të huaja. Po ashtu, sipas tij, edhe ambienti i të bërit biznes është përmirësuar dukshëm në Kosovë.

Lajme

20/02/2014 08:56

Ushtruesi i detyrës së Ministrisë për Tregti dhe Industri, Bernard Nikaj, thotë se nafta e cila hyn në Kosovë, dhe që kalon përmes sistemit të cilësisë të vendosur nga MTI, nuk mund të jetë e cilësisë së dobët, e aq më pak kancerogjene.

Në një intervistë dhënë për “Tribuna”, Nikaj thotë se sfidë mbetet që të luftohet informaliteti, dhe që nafta që hyn përmes rrugëve ilegale të eliminohet plotësisht.

“Ne besojmë se përmes sistemit të cilësisë të vendosur nga MTI’ja në bashkëpunim me organet e tjera posaçërisht me Trupat për Vlerësim të Konformitetit dhe Doganat e Kosovës, asnjë naftë e cilësisë së dobët, e lëre më kancerogjene, nuk mund të futet në Kosovë”.

“Natyrisht, mbete sfidë të luftohet informaliteti dhe të sigurohemi që mundësia e importit të derivateve të naftës nga rrugët ilegale të eliminohet plotësisht”.

Tutje, në intervistën dhënë për “Tribuna”, Bernard Nikaj thotë se gjatë vitit 2013 është rritur numri i investimeve të huaja.

Ai shton se edhe ambienti i të bërit biznes është përmirësuar dukshëm në Kosovë.

“MTI nuk mund të dijë numrin e saktë të investitorëve që vijnë në Kosovë, meqë një numër nga ta nuk kalon përmes Agjencisë për Promovimin e Investimeve”.

“Ajo që mund të dëshmohet përmes të dhënave të Bankës Qendrore është fakti që gjatë vitit 2013 ne kemi pasur një rritje prej 15% të investimeve të huaja direkte”.

“Gjithashtu kemi parë edhe një rritje të eksportit dhe ulje të importeve. Është rritur numri i bizneseve të vogla e të mesme nga vendet evropiane që kanë shprehur interesim për të investuar në Kosovë”.

“Ambienti i të bërit biznes në Kosovë tani është dukshëm më i mirë se që ka qenë në vitet e fundit”.

“Unë jam i bindur se trendi pozitiv i reformave do të vazhdojë të pranohet nga komuniteti i biznesit dhe Banka Botërore edhe gjatë vitit 2014”, ka thënë Bernard Nikaj për “Tribuna”.