Ministria e Sportit shpërblen Majlindën

Xhudistja Majlinda Kelmendi dhe trajneri i saj Driton Kuka janë shpërblyer financiarisht nga Ministria e Sportit për suksesin e arritur në Kampionatin evropian në Montpellier.

Sport

28/05/2014 14:20

Ministri i Sportit, Memli Krasniqi, ka shpërblyer Majlinda Kelmendin dhe trajnerin Driton Kuka, pas suksesit të arritur në Kampionatin Evropian të Xhudos në Francë.

Xhuidistja pejane mori 20 mijë euro për medaljen e artë që fitoi në Evropianin e zhvilluar në Montpellier, kurse Kuka u shpërblye me 10 mijë euro.

“Është shumë ndjenjë e mirë kur pas çdo suksesi shpërbleheni për punë që keni bërë”, deklaroi Kelmendi.

Kurse, edhe ministri Krasniqi u shpreh i lumtur që iu dha mundësia të ndihmojë Kelmendin.

 “Unë jam shumë i lumtur se kemi pas mundësinë që ta ndihmojmë Majlindën, për të cilën është bërë rutinë që të fitojë medalje ndërkombëtare”, u shpreh ai.