Ministria e Integrimeve e pa aftë për ta hartuar Ligjin për Përgjime

Anëtarët e Komisioneve Parlamentare për Siguri dhe për Mbikëqyrjen e AKI’së, vlerësojnë se Ligjin për Përgjime duhet ta hartojë Ministria e Punëve të Brendshme. Mirëpo, sipas tyre Ministria e Integrimeve Evropiane nuk ka kapacitete për një gjë të tillë.

Lajme

30/03/2014 10:19

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Siguri dhe ata për Mbikëqyrje të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), thonë se Ministria e Integrimeve evropiane nuk ka kapacitet të hartojë Ligjin për Përgjime, raporton Radio Kosova.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Siguri, Ahemt Isufi, thotë se ky Projektligj është kthyer prapa për përpunim në Qeveri, pasi që ka pasur një sërë vërejtjesh. Megjithatë, sipas tij, ky Projektligj nuk është dashur të kalojë në Ministrinë e Integrimeve Europiane.

“Ne konsiderojmë se është devijuar rruga në të cilën është dashur të shkojë ky Projektligj, sepse ekskluzivisht i takon segmentit të sigurisë dhe inteligjencës, dhe marrja e komisionit të integrimeve nuk ka të bëjë me përmbajtjen e projektligjit”, tha  Ahmet Isufi.

Ndërkaq, Nënkryetari i Komisionit të AKI’së nga PDK, Fadil Demaku, mendon se kjo Ministri duhet patjetër që këtë Ligj t’ia përshtat rrethanave të Kosovës.

“Ministria e Integrimeve Europiane në këtë ligj mendoj se vetëm mundet ta marr ndonjë model, duke mos e  njohur absolutisht ambientin, rrethanat dhe natyrën se çfarë përmban për brenda. Ajo mund ta procedojë nga modeli se si vjen, por jo ta bëjë më të mirën e mundshme”, tha Demaku.

Rexhep Selimi, anëtar i Komisionit për Siguri nga Vetëvendosja, thotë se as Ministria e Integrimeve Evropiane e as Komisioni për Integrime Evropiane në Kuvend, nuk kanë kapacitete të hartojnë dhe të procedojnë këtë Ligj.

Sipas tij, hartues të këtij ligji do të duhet të ishin Ministria e Punëve të Brendshme apo Zyra Ligjore e Kryeministrit të Kosovës.

“Është e vërtetë se edhe ky ligj përcakton rrugën e integrimeve evropiane, por nëse është kështu, atëherë do të duhet që shumica e projektligjeve të shkojnë përmes MIE, dhe kjo ministri nuk ka kapacitet që të hartojë një Projketligj të tillë”, tha Rexhep Selimi për Radio Kosovën.