Ministria e Inovacionit financon Qendrën e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të financojë me 800 mijë euro projektin për rinovimin e hapësirave të objektit të laboratorit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike për nevojat e “Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Universitetin e Prishtinës (UP)”.

Lajme

17/10/2018 10:58

Hapi i parë në këtë drejtim është marrë sot me nënshkrimin e një memorandumi mes ministrit Besim Beqaj dhe rektorit të UP-së, Marjan Dema, i cili përpos financimit, përcakton edhe obligimet e ministrisë dhe Universitetit për realizimin e projektit.

Ministri Beqaj, tha se kjo qendër do të shërbejë për lidhjen e dijes së studentëve me ekonominë.  Ai ka premtuar se do të krijojnë perspektivë për rininë kosovare.

“Na u ka dashtë të hapim rrugë dhe të lëmë shenjë për një zhvillim te ri, epokë te re. Konferenca ‘Digitalks’ e javës kaluar ka treguar gatishmërinë që ekonomia jonë të kalojë nga një ekonomi tradicionale në digjitale. Do të mundësojmë qe rinia të jetojë me perspektivë në vendin tonë”.

Beqaj ka deklaruar se të rinjtë jo rrallë herë po lëvizin më shpejtë se institucionet. Ai është shprehur optimist se në fund të këtij viti do të miratohet ligji për inovacion dhe ndërmarrësi, si dhe strategjia kombëtare për këtë fushë.

“Synimi e kemi pasur që UP të behet me qendër moderne e cila do tu mundësojë studentëve dhe profesorëve të punojnë bashkë në ekonomi. Marrëveshja është që të bëmë rinovimin e objektit dhe ta pajisim me infrastrukturë në mënyrë që të jetë e përdorshme”.

Rektori Demaj tha se qendra do të ofroj trajnime të ndryshme dhe se do t’u mundësojë studentëve zhvillimin e njohurive me biznesin.

“Me këtë qendër do të jetë një urë lidhëse mes të rinjve dhe qendrës e cila do të ofrojë trajnime të ndryshme, lidhjen e njohurive te tyre me biznesin. Kjo shërben që të krijojmë studentë inovativ. Jemi të interesuar që ta bëjmë atë transformimin e studentit, mos të pret nga qeveria por nga vetja”.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Ahmet Shala, theksoi se qendra do tu ndihmojë studentëve që njohuritë  teorike t’i zbatojnë në praktikë.

“Fakulteti është shprehur i gatshëm, e kemi pranuar këtë qendër, mbështetje më të madhe nga ana financiare është nga ministria. Qendra do te jetë në shërbim të studentëve, lidhjes së njohurive teorike me praktikën”.

Ai tha se kjo qendër do të shërbej për përgatitjen e studentëve për tregun e punës. /EO